Një djalosh me shumë ambicie, i fuqishëm që nuk njeh humbje, ka nisur boksin nga i vogël dhe vazhdon të përballet me kundërshtarët. Arben Shemallari, ndonëse i lindur në Gjermani me prejardhje nga Kosova vazhdon të shkëlqejë në arenat e boksit nëpër botë. Ai vjen në një bisedë të shkurtër për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar mbi karrierën e tij
Bisedoi: Blerand Rexhepi
KOHA: Një njohje e shkurtër se kush është Arben Shemallari?
Arben Shemallari ka lindur më 26 shtator 1987 në Wiesbaden të Gjermanisë, babai nga Prizreni dhe nëna nga Peja, kur isha 11 vjeç e kam bërë luftën time të parë në boks.
KOHA: Sa ndeshje keni pasur deri më tani dhe sa fitore numëron e sa humbje?
Luftimet amatore 21 ndeshje, 17 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, si një boksier kam pasur dy ndeshje dhe dy nokaut.
KOHA: Kush je shpallur kampion për herë të parë, e bën kjo edhe më të veçantë ndjenjën për me qenë boksier?
Në moshën 11 vjeçare si i ri kam qenë kampion tre herë dhe tash jam duke luftuar në ndeshjet profesionale.
KOHA: Para se të filloni boksin profesionist, a jeni marrë me ndonjë gjë tjetër?
Po, kam mbaruar shkollimin në drejtimin e elektronikës dhe shërbimeve të sigurisë.
KOHA: A pretendon Arbeni që një ditë të shpallet edhe kampion bote?
Unë jam bërë kampion njëherë më 7 korrik të këtij viti në Wiesbaden Brita Arena, ku të pranishëm ishin mbi 10 mijë spektatorë.
KOHA: Në këto duele kemi parë që ca prej tyre i keni zhvilluar ndaj boksierëve të ndryshëm, a është më i vështirë rregullimi i dueleve me boksierë të vendeve perëndimore?
Nga rajoni në rajon është pak më ndryshe, mundohem të përshtatem në secilën situatë, ndërsa kam një plan në vijën e parë që zbatoj me të gjitha mjetet e mundshme.
KOHA: Ndeshjen e fundit kur e keni caktuar?
Organizimi i garës nga Arena Menaxhment që pritet të mbahet më 3 gusht në Ulqin, një ngjarje shumë mirë e organizuar dhe uroj të kalojmë bukur.
KOHA: Cili është modeli që merr si shembull Arbeni, cili boksier?
Më pëlqen Bruce Lee dhe Princ Naseem Hamed.