Karrierën e tij po e zhvillon në Norvegji, tashmë ka arritur të shndërrohet në një aktor mjaft të pëlqyer atje pasi është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme, duke arritur tashmë në atë pikë saqë të jetë ndër aktorët më të kërkuar sidomos kur bëhet fjalë për filma aksion. Një karakter të tillë Arben Bala do ta sjellë edhe në filmin e ri i cili do ta ketë premierën më datë 27 tetor në Norvegji. Bëhet fjalë për filmin ‘Gjengangere’ ku Arbeni luan rolin e një udhëheqësi të mafies shqiptare dhe në film prezantohet si shqiptarë. Në filma ai e luan pothuajse gjithmonë karakterin e njëjtë. Fizionomia ja imponon që të marr gjithmonë role në filma aksion si “bad guy”. Për të mësuar më shumë lexojmë bashkë këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA.
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Sa i vështirë ishte fillimi dhe kush besoi tek ty se mund të bëheshe një aktor i suksesshëm?
Padyshim që fillimi është i vështirë. Ashtu si çdo profesion edhe aktrimi dhe fillimit e tij janë të vështira për shumë arsye të ndryshme. Po dashuria e madhe dhe pasioni për aktrimin për skenën dhe artin të tërësi më kanë bërë që pavarësisht të gjitha vështirësive apo pengesave unë kam heq përpara. Si fillimi isha unë dhe besimi im në vete që do të bëhem një aktor i suksesshëm dhe padyshim familja, që ishte dhe është motivimi dhe mbështetja ime kryesore dhe e pandryshueshme.
KOHA: Njihesh për rolet e “djalit të keq”, është i tillë edhe në jetë Arbeni?
Kjo është një pyetje që realisht e kanë shumë njerëz sepse fizionomia ime transmeton atë figurën e “djalit të keq” siç thoni ju, po në fakt – jashtë skene nuk jam “djalë i keq”, madje krejt e kundërta do të thosha.
KOHA: Cili është roli apo filmi që do përmbushte ambicien tënde?
Në fakt, aktor i mirë është ai që i luan të gjitha rolet kjo të bën aktor të kompletuar. Po një nga rolet që do të përmbushte një nga ambiciet e mia është një rol që i përshtatet Arbenit realë me të njëjtën ndjeshmëri e zemërgjerësi.
KOHA: Tashmë është lansuar edhe traileri i filmit, ku në disa sekuenca shihet edhe aktori shqiptar?
Falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni ka arritur të bëhet pjesë e filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze si: Reprise, Blodsbånd, Ulvenatten, Dagbok fra baksetet, Mano dhe Lillebror (NRK), Dino e të tjerë. Deri më tani ai ka luajtur 15 filma dhe tani është në xhirime për filmin e 16-të dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër.
KOHA: Është filmi i parë shqiptar që po merrni pjesë, apo keni ndonjë rol tjetër edhe në projekte të tjera?
Ky është projekti i parë shqiptar në të cilin po marrë pjesë. Deri më tani kam qenë pjesë e filmave, serialeve dhe si aktor i tetarit në Norvegji. Por ky rol në filmin e regjisorit shqiptar Izer Aliu është i veçantë për mua. Në këtë film kam rol kryesorë bashkë me aktorët Naser Rafuna, Xhevdet Jashari, Astrit Alihajdari dhe Rina Krasniqi, me të cilët kemi arrit një bashkëpunim shumë të mirë dhe finalizimi besoj që do të jetë i mrekullueshëm.
KOHA: Ndërkohë, ju keni mjaft role në teatër, seriale e filma norvegjez, por jo të keni famë edhe në trojet shqiptare, pse gjithë kjo tërheqje?
Kam kontaktuar njëherë me një person që është aktor këtu në Kosovë, të cilit ja kam shpalosur një projekt timin, gjithashtu kam tentuar të flas me disa persona të botës së artit, por nuk më kanë marrë seriozisht. Po mendojnë që ne që jetojmë jashtë – bëjmë vetëm punë fizike, nuk po arrijnë ta kuptojnë që ka edhe persona që jetojnë jashtë dhe merren me art.
KOHA: Sikur të ishte në dorën tënde, cilin rol do ta luaje me shumë pasion?
Jo gjitha rolet luhen me pasion, i tillë është aktrimi, del natyrshëm dhe përshtatet në rol. Kam një mikeshë në Norvegji që më thotë ti Arben përshtatesh shumë në rolin e Skënderbeut nëse luhet një film në kinematogafinë moderne. Edhe besoj se ka të drejtë, ky është një nga rolet që me shumë pasion dhe krenari do e luaja
KOHA: Çfarë ke mësuar nga këto vite në kinematografi?
Në fakt vetëm kjo pyetje do një intervistë me vete se është shumë e gjatë si përgjigje sepse me të vërtet kam mësuar shumë, është lloj shkolle me vete. Ajo që do veçoja është që kam mësuar të vlerësojë gjërat që kam në jetë. Duke qenë se përgjithësisht unë luaj “djalin e keq” dhe kinematogafia është pasqyra e jetës reale, kam mësuar që jeta atje jashtë është tmerrësisht e egër, ndoshta në një profesion tjetër nuk do e kisha mësuar, po nëpërmjet roleve kam mësuar që ashtu si e mira edhe e keqja nuk kanë fund.
KOHA: Mund të na përmendi për karakteret që luani në projekte të ndryshme në Norvegji?
Në filma e kam luajtur pothuajse gjithmonë karakterin e njëjtë. Fizionomia ime e imponon që unë të marr gjithmonë role në filma aksion si “bad guy” dhe për role të tilla të them të drejtën nuk ja zgjasë dorën askujt. Nga gjithë filmat që kam luajtur, do ta veçoja filmin ku kam luajtur me Steven Van Zandt, i cili njëherit është edhe kitaristi i Bruce Springsteen’s. Zandt ka luajtur në shumë filma hollivudian si dhe në serialin e famshëm ‘The Sopranos’.
KOHA: Sikur të ishte në dorën tuaj, cilin karakter do ta luaje me shumë pasion?
Këtë karakter e luaj gjithmonë dhe tash është bërë pjesë e imja. Por nuk do të thotë që nuk luaj edhe role të tjera. Në filmin që jemi duke e xhiruar tani, kam një rol krejt tjetër. Në këtë rol paraqitem si një njeri më i tërhequr, një person që frikësohet shumë nga policët, rojtarët e në përgjithësi njerëzit me uniformë. Edhe këtë rol po e realizoj pa problem.
KOHA: Ke interpretuar edhe në Teatrin Kombëtar të Norvegjisë, më përshkruaj pak vitet e kaluara në të, si je ndjerë dhe nëse do të duhej të zgjidhje mes teatrit dhe filmit cilin do zgjidhje?
Po kam interpretuar në Teatrin Kombëtar norvegjez dhe do të thosha me plot bindje që është një nga periudhat më të bukura të karrierës sime si aktor. Sepse një aktor i mirë në të vërtet duket në skenë të teatrit përshtatshmëria, elasticiteti bashkëpunimi mes kolegëve janë shumë të rëndësishme në skenën e teatrit, sepse nuk mjafton vetëm skenari. Kur shfaqja është drejtpërdrejtë në skenë edhe publiku aty ndodhin gjëra që mund të mos i kesh parashikuar për shembull, të të kap e qeshura, ose të ngatërrosh tekstin e skenarit. Duhet të jesh elastik të ndihmosh kolegët në të tillë situatë edhe ata të të ndihmojnë ty, gjë kjo e cila nuk ndodh në filma sepse në film nëse një skenë nuk të pëlqen e xhiron prapë. Është pak e vështirë që të bëj ndarje mes teatrit apo filmit sepse të dyja i dua me të njëjtën forcë.
KOHA: Pjesë edhe e serialeve norvegjeze, besoj je bërë idhulli i femrave atje? Na trego pak për jetën tënde përtej ekranit dhe siparit të teatrit… A ka një dashuri në jetën e Arbenit?
Duhet me patjetër ti përgjigjem kësaj pyetje?(Qesh) Si çdo aktor edhe unë kam sukseset e mia te fansat e mi që e përcjellin me fanatizëm karrierën time. Nuk do të veçoja gjini, fan club-in tim e respektoj shumë dhe e falënderoj pa masë për suportin. Jashtë skene jam ai Arbeni modest, me rutinën e tij. Patjetër që ka dashuri në zemrën e Arbenit, edhe jo një dashuri por shumë dashuri për gjithçka të mirë që e rrethon atë dashuri për jetën, familjen, punën, miqtë, shoqërinë, besoj se mjafton si përgjigje…!
KOHA: Mendimi yt për shqiptarët që po bëjnë emër në botë?
Dy janë gjërat që më vijnë në mendje tani që po m’a bën këtë pyetje para është krenaria që ndiej kur dëgjoj për sukseset e bashkatdhetarëve të mi nëpër botë dhe e dyta adhurim ndaj punës së tyre duke e ditur edhe nga eksperienca ime se sa e vështirë është të bësh karrierë edhe suksese në vende të huaja nëpër botë! Gëzoj me sukseset e tyre ashtu si atë me sukseset e mia, dua të besoj!
KOHA: Nga eksperienca e shumë artistëve shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, rolet që karakterizohen janë ato të “kriminelëve” të të fortëve dhe djemve të këqij, pse mendon se ju besohen këto role?
Shiko, pa dashur të fshihemi mbas gishtit tonë sepse është njësoj si të gënjejmë veten. Ne si komb edhe si popull jemi shumë të mirë, të shkolluar, intelektual, të integruar e shumë e shumë të tjera po mos të harrojmë që kemi edhe anët negative, edhe këto anë negative përcillen edhe nëpërmjet këtyre roleve që e përmendët edhe ju. Por, kjo nuk do të thotë pse nëpër filma shqiptarët luajnë role «të kriminelit, shqiptar negative» edhe gjithë shqiptarët janë kështu! Kjo bëhet për të pranuar realitetin që përkrah gjithë të mirave dhe arritjeve në të gjitha fushat është edhe kjo pjesa tjetër “negative”!
KOHA: Nëse jeta jote do ishte një libër si do titullohej dhe çfarë do shkruhej në të?
Nëse jeta ime do të ishte libër do të mund të ishte quajtur “Një dritë në fund të tunelit” edhe padyshim që në të do të shkruhej jeta ime ashtu siç unë e kam ndier në lëkurë pa dashur ta fsheh as të hiperbolizoj. Një jetë të vështirë që më ka bërë të jem ky që jam dhe që kam mësuar shumë prej saj!