Në Parlamentin evropian për herë të parë do të ketë deputet shqiptar. Ajo është Arba Kokallari, e cila u kandidua në emër të Partisë së Moderuar të Suedisë, e cila fitoi 17,6 për qind të votave, duke siguruar katër vende të eurodeputetëve.
Gjatë fushatës, Kokallari premtoi se do të jetë zë i fuqishëm i integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, moto me të cilën e ka kërkuar votën e shqiptarëve që jetojnë në Suedi.
Kokallari është e lindur në Tiranë më 27 nëntor të vitit 1986, ka qenë në funksionin sekretare ndërkombëtare e Forumit rinor të Partisë së Moderuar suedeze dhe është përfshirë në politikë që në moshën 16-vjeçare. Ka diplomuar të drejtë ndërkombëtare dhe politikë evropiane në universitetin në Stokholm.
Ka emigruar në Suedi në vitin 1992, kur babai i saj u emërua si ambasador i Shqipërisë në vendet nordike dhe baltike.
Në zgjedhjet për Parlamentin evropian këtë vit ka pasur shumë kandidatë shqiptarë, të cilët për vende të deputetëve evropianë garuan në Greqi, Itali, Belgjikë dhe Suedi.(koha.mk)