Riad, 26 nëntor – Koalicioni ushtarak i kryesuar nga Arabia Saudite kumtoi sot se ka liruar 200 të burgosur nga lëvizja huthë si pjesë e orvatjeve paqësore të orientuara për dhënie fund të luftës pothuajse pesëvjetore në Jemen, transmeton gazeta KOHA.
Në kumtesën e publikuar nga mediat shtetërore saudite thuhet se koalicioni do t’i lehtësojë kufizimet mbi hapësirën ajrore jemene që të lejojnë fluturime nga kryeqyteti Sana, i cili është nën sundimin e huthëve, për transport të personave që kanë nevojë për mjekim jashtë vendit.
Koalicioni mysliman sunit intervenoi në Jemen në mars të vitit 2015 kundër lëvizjes huthë, të mbështetur nga Irani, e cila e rrëzoi nga pushteti qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Sana.(koha.mk)