Heqja e ndalesës 35 vjeçare për kinematë në Arabinë Saudite ka shkaktuar valë të mëdha të reagimeve të ndryshme. Mbështetësit e rihapjes së kinemave thonë se kjo do të ndikojë pozitivisht në “investime dhe punësim” dhe se do të krijojë një atmosferë kulturore, ndërsa kundërshtuesit e nismës thonë se meqë vendi nuk ka një kinematografi vendore, atëherë kinematë nuk do të kenë kuptim tjetër pos imponimit të kulturës perëndimore. Ish-kreu i Shoqatës Kulturore dhe Artistike të Arabisë Saudite dhe këshilltari për media, Sultan el-Bazigi, rihapjen e kinemave pas 35 vitesh e cilësoi si “hap pozitiv”. “Kjo gjendje padyshim që do të krijojë një atmosferë të ndryshme kulturore. Në të njëjtën kohë do të jetë edhe sektor i rëndësishëm për investim dhe punësim”, u shpreh Bazigi. Ai poashtu tha se popullata e Arabisë Saudite nuk është e huaj në botën e kinemasë dhe shtoi: “Edhe përkundër faktit që sallat e kinemave ishin të mbyllura, shumica e popullatës kanë ndjekur nga afër kinematografinë arabe apo dhe të huaj nëpërmjet televizorit, tabletit apo dhe me shkuarjen në kinema gjatë vizitave të vendeve të tjera. E reja tani është që do mund të shikojnë filmat sapo të fillojnë të shfaqen”. Në shpërndarjet në rrjetin social Twitter kishte prej atyre që mbështesnin rihapjen e kinemave me etiketën #HapjaEKinemaveNëRijad, por edhe përdorues që kundërshtonin një gjë të këtillë. Një përdorues i Twitterit me emrin “Er-Rumeysi”, tha se kinematografia egjiptiane është model për inkurajimin e veprave të ndryshme letrare, për zhvillimin e llojit të tregimeve si dhe për përhapjen e kulturës së kinemasë te popullata. Ai poashtu përgëzoi popullin e Arabisë Saudite për heqjen e ndalesës për kinematë. Nga ana tjetër, një përdorues tjetër i Twitterit me emrin “Miknas” tha: “Kinemaja nuk është as lojë e as argëtim. Është një mjet shprehjeje që reflekton opinionin botëror. Kinemaja në Arabinë Saudite është e domosdoshme. Urime për popullin e Arabisë Saudite.”