Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, u takua me përfaqësuesit e Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite, i kryesuar nga Abdullah Al-Shoaibi.
Gjatë këtij takimi u bisedua për projektin, i cili financohet nga ana e këtij fondi, për zgjerimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, si dhe projekte të tjera që priten të realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.
Ministri Lekaj e informoi delegacionin me progresin e arritur deri tash në projektin për zgjerimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, duke i njoftuar ata se tashmë janë në përfundim procedurat e tenderimit dhe se punimet në përfundimin e këtij projekti pritet të fillojnë shumë shpejt.
Ministri Lekaj dhe Al-Shoaibi u dakorduan që ky projekt të jetë vetëm fillimi dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku nga ana e Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite u shfaq gatishmëri për bashkëpunim edhe në projekte tjera, kurse nga ana e tij ministri Lekaj u premtoi atyre se do të ketë profesionalizëm, korrektësi, respektim afatesh dhe transparencë sikurse deri më tash edhe në projektet e ardhshme ku mund të ketë bashkëpunim.
Lekaj i ka informuar mysafirët edhe për projektet e mëdha që pritet të realizohen siç janë ai i “Autostradës së Dukagjinit”, “Autostrada Prishtinë-Merdare” e projekte të tjera që kanë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve të vendit.
Al-Shoaibi i tha ministrit Lekaj se Fondi saudit është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në të gjitha ato projekte që janë në të mirë të banorëve të saj.