Princi trashëgimtar saudit, Mohammed bin Salman, theksoi se nëse Irani do të pajisej me armë bërthamore, edhe Arabia Saudite do të bënte të njëjtën gjë sa më shpejt të ishte e mundur, sipas një interviste të dhënë për kanalin televiziv “CBS”.
“Arabia Saudite nuk dëshiron të pajiset me një armë bërthamore, por nëse Irani zhvillon një bombë atomike, ne do të ndjekim të njëjtën rrugë sa më shpejt, pa asnjë dyshim”, deklaroi princi në këtë intervistë. Njeriu i pushtetshëm i Riadit, që do të takohet me Presidentin amerikan, Donald Trump, më 20 mars në Shtëpinë e Bardhë, hoqi një paralele mes ambicieve territoriale të liderit suprem iranian, Ali Khamenei dhe Adolf Hitlerit.
“Ali Khamenei kërkon të krijojë projektin e tij për Lindjen e Mesme, ashtu sikurse kërkonte Hitleri në kohën e tij. Shumë vende në botë dhe në Evropë e kuptuan se sa i rrezikshëm ishte Hitleri vetëm kur ndodhi ajo që ndodhi. Nuk dua që të ndodhë e njëjta gjë në Lindjen e Mesme”, tha Mohammed bin Salman.