“Për rastin konkret, Ministria e Punëve të Jashtme përsëri do ti njoftojë organet e Mbretërisë së Arabisë Saudite që ti përmbahen informacioneve dhe kërkesave tona”, deklarojnë për KOHA nga Ministria e Punëve të Jashtme
Destan JONUZI
Shkup, 27 dhjetor – Mbretëria e Arabisë Saudite nuk e njeh emrin e ri Kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky konstatim del nga vizat e lëshuar për pjesëtarët e komunitetit mysliman nga Maqedonia e Veriut, të cilët do të udhëtojnë këtë vit në UMRE (vizitë vendeve të shenjta). Në vizat e lëshuara nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, në grafën ku shkruhet shtetësia e “nijetliut” të UMRES, shkruan Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, edhe pse kërkesat për viza bëhen sipas dokumentacioneve dhe procedurave që i referohen emrit Kushtetuese Republika e Maqedonisë së Veriut.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) për gazetën KOHA thonë se për rastin konkret do të reagojnë te organet gjegjëse në Mbretërinë e Arabisë Saudite që të korrigjohet ky gabim diplomatik. “Ministria e Punëve të Jashtme menjëherë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare me Greqinë, i ka informuar të gjitha shtetet me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut ka vënë marrëdhënie diplomatike për të ndryshimin e emrit Kushtetues. Për rastin konkret, Ministria e Punëve të Jashtme përsëri do ti njoftojë organet e Mbretërisë së Arabisë Saudite që ti përmbahen informacioneve dhe kërkesave tona”, deklarojnë për KOHA nga Ministria e Jashtme.
Në anën tjetër, nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) thonë se kjo është çështje diplomatike, dhe se ato nuk merren si institucion për momentin me organizimin e udhëtimit për në UMRE. “Me çështjen e vizave të Umres, ne si Bashkësi Islame nuk merremi, nuk bëjmë organizime. Këto i bëjnë agjencitë private. Ne nuk kemi lidhje me këtë punë. Kur i bëjnë aplikimet për viza, plotësohet një formular dhe në bazë të atij formular duhet edhe të jepen vizat. Kjo është çështje e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diplomacisë që duhet ta rregullojë marrëdhëniet dhe komunikimet me shtetin e Arabisë Saudite. Ato ose nuk janë të informuar ose bëhen se nuk kanë informacione”, deklaroi për KOHA, Jusuf Zimeri nga BFI. Ai thekson se deri më tani, BFI nuk ka organizuar udhëtimin e UMRES, por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk mund të organizojmë.
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski thotë se për këtë gabim duhet të reagojë me urgjencë Ministria e Punëve të Jashtme. “Ky është një lëshim i madh, duhet që Ministria e Punëve të Jashtme me ‘notë’ përmes diplomatit ose ambasadorit që e mbulojmë Mbretërinë e Arabisë Saudite, të reagoj te institucionet e atjeshme gjegjëse. Të kërkojë të përmirësohet ky gabim. Kjo kërkon reagim të shpejtë”, deklaroi për KOHA, Antonio Milloshovski, ish ministër i Jashtëm dhe deputet aktual i VMRO-DPMNE-së. Ndryshe, organizimin e udhëtimit për në UMRE nga Maqedonia e bëjnë agjenci private turistike. Ndërkohë që sipas informacioneve po nga këto agjenci, vetëm me grupet e muajit dhjetor, janar dhe shkurt, numri i atyre që kanë udhëtuar dhe do të udhëtojnë për në Umre, arrin në rreth 600. (koha.mk)