“Qëllimi kryesor i aplikacionit ‘Applinka’ është ruajtja e ambientit. Aplikacioni të lejon të sfidosh shokët me një sfidë e cila do ketë ndikim në ruajtjen e ambientit siç janë : vrapimi, ecja, pastrimi i parqeve, riciklimi, mbjellja e pemëve dhe disa tjera. ‘Applinka’ zgjidh tre probleme kryesore: ruajtjen e ambientit, ju bën të shëndetshëm dhe ju socializon me njerëz të tjerë. Aplikacioni është i disponueshëm për platformën ‘Android’ dhe mund të shkarkohet në Google Play Store”, thotë për gazetën KOHA, zbuluesi i ri, Endrit Rushiti
Remzije BILALLI
Shkup, 7 shtator – Kumanovari Endrit Rushiti student i Shkencave kompjuterike sapo ka lançuar aplikacionin e tij të ri “Applinka”. Ai arriti te fitojë në garat internacionale për mobile aplikacione në Salzburg të Austrisë ku më pas përfaqësoi Evropën në gara ndërkontinentale. Applinka, deri më tani është shkarkuar nga 7,000 përdorues. Ky është aplikacioni i dytë i Endritit, të cilin mund ta shkarkoni në Google Play. Më herët ai ka zhvilluar edhe aplikacionin ‘Movies Diary’, një ditar i filmave. Aplikacioni ka mbi 5000 instalime dhe rreth 90% e përdoruesve janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të mësuar më shumë mbi këtë aplikacion inovator, gazeta KOHA ju sjell intervistën me Endrin Rushitin.
KOHA: Si erdhi ideja për formimin e një aplikacion ?
Para një viti në Shkup organizohej një garë nga Fondi Evropian i Ballkanit dhe unë së bashku me disa shokë vendosëm të marrim pjesë në një nga kategoritë që ishte ‘Mbrojtja e ambientit’ . Aty erdhëm me idenë e një mobile aplikacioni dhe vendosëm ta quanim ‘Applinka’ .
Nga ajo garë arritëm të dalim fitues me çrast fituam të drejtën të marrim pjesë në garat internacionale për mobile aplikacione në Salzburg të Austrisë. Pas një kampi 7 ditor unë së bashku me shokët arritëm të dalim fitues edhe në Austri dhe fituam të drejtën të marrim pjesë në garat ndërkontinentale për mobile aplikacione. Ky rrugëtim bashkë me këto çmime dhe vlerësime të shumta që morëm na nxiti që ne të vazhdojmë rrugëtimin deri në përfundimin e plot të ‘Applinkes’. Për fat të keq për shkak të obligimeve personale anëtarët tjerë të grupit janë tërhequr dhe tani për momentin jam vetëm unë pjesë e ekipit.
KOHA: Me çfarë ka të bëjë konkretisht ky aplikacioni ?
Qëllimi kryesor i aplikacionit ‘Applinka’ është ruajtja e ambientit. Aplikacioni të lejon të sfidosh shokët me një sfidë e cila do ketë ndikim në ruajtjen e ambientit siç janë : vrapimi, ecja, pastrimi i parqeve, riciklimi, mbjellja e pemëve dhe disa tjera. Gjatë krijimit të sfidës, krijuesi vendos dhe një shpërblim socializues që mund të jetë: një kafe, një drekë, një udhëtim dhe shumë tjera. Dhe në fund qëllimi është që humbësi i sfidës duhet ti ofroje shpërblimin fituesit. Kjo shërben edhe në socializimin e njerëzve. Si përfundim ‘Applinka’ zgjidh tre probleme kryesore: ruajtjen e ambientit, ju bën të shëndetshëm dhe ju socializon me njerëz të tjerë . Aplikacioni është i disponueshëm për platformën ‘Android’ dhe mund të shkarkohet në Google Play Store.
KOHA: Pse pikërisht aplikacion për shëndetin dhe mjedisin, cili ishte motivi ?
Filluam për shkak të garës në Shkup , por gjatë rrugëtimit 1 vjeçar arritëm të kuptojmë se ruajtja e ambientit është një problem shumë serioz sidomos në vendin ku jetoj dhe se njerëzit nuk janë aspak të vetëdijshëm se sa në rrezik janë gjeneratat e ardhshme në këtë planet. Prandaj motivi që kjo ide kreative dhe zbavitëse të shfaqet tek përdoruesit ka qene shumë i larte dhe i nevojshëm për të gjithë ne për ta mbrojtur ambientin tonë.
KOHA: Sa keni ndihmë nga institucionet dhe sa ju kanë përkrahur profesorët?
Nga shteti nuk kemi aspak ndihmë, por dhe vetë nuk është që kam kërkuar ndihmë. Ndonjëherë të kërkosh ndihmë mund ti ngatërrosh më shumë gjërat, për këtë arsye unë dua që të gjithë gjërat të bëhen personalisht nga unë duke mos u bazuar në mbështetjen e të tjerëve. Nga profesorët kam pasur mbështetje rreth aplikacionit ‘Applinka’, gati çdo profesor dhe student ka qenë i informuar rreth aplikacionit dhe e kanë pritur me padurim. Sidomos dua ta theksoj mbështetjen e profesoreshës Majlinda Axhiu, e cila nga hapat e parë më ka mbështetur dhe më ka qëndruar pranë në çdo sekondë deri në ditët e sotme.
KOHA: Cilat ishin vështirësitë gjatë projektimit të aplikacionit?
Të them të drejtën kur kemi filluar me aplikacionin ‘Applinka’ unë isha viti parë dhe të programosh një aplikacion për mua ishte vetëm një ëndërr. Por gjithçka mund të arrihet nëse ju keni një ëndërr dhe punoni drejt asaj, e rëndësishme është që ju të jeni të lumtur gjatë rrugëtimit për realizimin. Kam pasur shumë vështirësi në fillim për shkak të njohurive të pakta që kisha rreth kësaj fushe. Kemi pasur rast ku kemi punuar 5 muaj në një program dhe pastaj e kemi parë se nuk është e duhura dhe kemi filluar me një tjetër nga fillimi. Por dëshira që ‘Applinka’ të jetë e gatshme ka qenë shumë e madhe dhe për këtë arsye nuk jam dorëzuar asnjëherë.
KOHA: Çka presim në të ardhmen nga ju?
Për momentin jam i fokusuar në aplikacionin ‘Applinka ‘. Po mundohem të krijoj një ekip i cili do të menaxhojë me aplikacionin dhe qëllimi është që të mos mbetet thjesht një mobile aplikacion por kjo të bëhet një projekt shumë i rëndësishëm dhe të ndërmerren aktivitetet të shumta për mbrojtjen e ambientit. Sa i përket projekteve të ardhshme, me shumë siguri aplikacioni i radhës do jetë një rrjet social dhe do jetë një projekt shumë i madh.