Apple-Samsung, saga 6-vjeçare gjyqësore midis dy gjigantëve

Prej thuajse një dekade tashmë, Apple dhe Samsung kanë mbërthyer dhëmbët me njëra-tjetrën për dominimin në tregun e telefonave inteligjentë. Përplasja e tyre shpesh ka përfunduar në dyert e gjykatave në Shtetet e Bashkuara dhe në Korenë e Jugut. E tillë është beteja që mori udhë pesë vite më parë. Apple paditi në atë kohë kompaninë koreano-jugore se kishte kopjuar në formë, përmbajtje dhe thelb produktin e vet më të suksesshëm, iPhone. Pasi u konsumua në të gjitha shkallët e gjyqësorit amerikan, çështja mbërriti deri në Gjykatën Supreme, e para e këtij lloji që prej 120 vitesh. Kjo e fundit vendosi unanimisht rrëzimin e një urdhri që e detyronte Samsung të paguajë 399 milionë dollarë për llogari të Apple. Gjykata Supreme riktheu për gjykim çështjen në Apelin Federal, që duhet të vendosë përfundimisht sesa duhet të paguajë kompania koreano-jugore në llogaritë e kompanisë amerikane. Apple paditi Samsung në vitin 2011 se me produktet Galaxy kishte shkelur patentën e tyre për iPhone-t. Një vit më vonë, gjykata e shkallës së parë i dha të drejtë kompanisë amerikane dhe gjobiti Samsung me plot 930 milionë dollarë. Koreano-jugorët apeluan vendimin dhe vitin e kaluar Apeli Federal uli gjobën në 548 milionë dollarë. Gjykata argumentoi se gjoba përllogariste përfitimet totale të Samsung nga shitja e produkteve që kanë shkelur të drejtat e Apple. Por kompania koreano-jugore dërgoi në Gjykatën Supreme këtë vendim duke kërkuar që gjoba të aplikohet vetëm për aspektet që ka kopjuar, jo për gjithë vlerën e pajisjes. Shpresa e Samsung është që të reduktojë me 399 milionë dollarë gjobën fillestare prej 548 milionë dollarë, duke paguar për Apple 149 milionë.