Apple prej kohësh ka plane të krijojë helmeta për realitet të shtuar (AR), ndërsa sipas parashikimeve të mëparshme vitin e ardhshëm mund ta shohim një pajisje të tillë nga kompania nga Kupertino, raporton Ubergizmo.
Tani raporti i DigiTimes zbulon më shumë detaje në lidhje me pajisjen AR, ndërsa bazuar në burimet Apple aktualisht po bashkëpunon me kompaninë Valve për ta helmetën AR, shkruan KOHA Ditore. Kjo është shumë interesante sepse nuk do të ishte hera e parë që Valve të bashkëpunojë me një kompani për zhvillimin e një teknologjie të këtillë. Disa vite më parë, Valve dhe HTC e zhvilluan helmetën HTC Vive VR.
Gjithashtu, kjo nuk do të ishte hera e parë që Valve dhe Apple bashkëpunojnë. Dy kompanitë kanë punuar më parë për të mundësuar mbështetje VR për macOS.
Mbetet çështja nëse Apple do ta zhvillojë me të vërtetë helmetën AR në bashkëpunim me Valve, veçanërisht nëse e kemi parasysh që kompania dëshiron pavarësi dhe përpiqet të jetë sa më pak e varur nga prodhuesit e tjerë. Kështu që thashethemet për pajisjen Apple AR duhet të merren me rezervë.