Zhvendosja e datës së fundit të konkurrimit, nga 17 nëntor deri në 25 nëntor bëhet pas problemeve dhe bllokimit të shërbimit gjatë këtyre ditëve, edhe pse supozohej se përmes këtij portali do të tejkaloheshin vështirësitë e ngjashme gjatë konkurrimit të vitit të kaluar dhe kjo formë do të thjeshtëzonte akoma edhe më shumë punën e aplikuesve
Evis HALILI
Shkup, 19 nëntor – Aplikimi elektronik për të dytin vit me radhë ka shfaqur probleme duke detyruar Ministrinë e Kulturës të shtyjë afatin e konkurrimit në Konkurset Vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë, duke e zhvendosur deri më 25 nëntor. “Faqja nuk hapet,nuk e di sesi arrijnë të tjerët të aplikojnë, nëse vërtet kanë aplikuar”, “Dolën mjaft probleme. Ju nuk e keni parashikuar që për shkollën, për shembull, nuk ka nevojë të bashkëngjitni një biografi… Nuk i keni parashikuar hapat e komunikimit, nivelin e parë të pranimit të një projekti, që më pas të kërkohet mendim nga Zyra për Mbrojtjen e Monumenteve… ka edhe probleme të tjera gjatë aplikimit. Ju lutemi zgjateni afatin që të mund të sigurojmë leje të trefishta”, thuhet ndër të tjera në reagimet e aplikantëve në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, shkruan gazeta KOHA.
Zhvendosja e datës së fundit të konkurrimit, nga 17 nëntor deri në 25 nëntor bëhet pas problemeve dhe bllokimit të shërbimit gjatë këtyre ditëve, edhe pse supozohej se përmes këtij portali do të tejkaloheshin vështirësitë e ngjashme gjatë konkurrimit të vitit të kaluar dhe kjo formë do të thjeshtëzonte akoma edhe më shumë punën e aplikuesve.
Vendimi është marrë për të përballuar me sfidat që lindën nga mënyra e re e aplikimit në portalin kombëtar të shërbimeve elektronike e-usllugi. Kështu shkruhet në njoftimin e publikuar nga Ministria e Kulturës.
“Edhe tek ne arrijnë reagimet që u paraqiten për shkak të mbingarkesës të sistemit, ndërsa ka edhe arsye subjektive. Ato kryesisht ishin për shkak të jo azhurimit të të dhënave të aplikantëve në profilet e DAP. Kolegët nga MSHIA dhe nga kompania për mbështetje teknike, si dhe nga MK, në mënyrë të dedikuar janë të angazhuar në dhënien e ndihmës dhe mbështetjes të gjithëve që kërkojnë udhëzime të mëtejshme. Përmes aplikimit në sistemin e-shërbime, lehtësohet dhe përshpejtohet procesi në vazhdim i vlerësimit sepse marrim bazë në mënyrë elektronike të të dhënave, që mund t’i përdorim menjëherë mbi vendimin. Me vite me radhë e gjithë kjo me dorë është shënuar nga letra në formë elektronike nga punonjësit. Vitin e kaluar u përmirësua aplikimi elektronik por këtë vit ecim hap para që bëhemi pjesë e sistemit digjital qendror shtetëror”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Kulturës.
Vitin e kaluar afati i konkurrimit u shty për probleme të ngjashme, por edhe pse numri i aplikimeve ishte jashtëzakonisht i vogël. Konkurset në të shtatë kategoritë e konkurrimit – Arteve vizuale, arkitekturës dhe dizajnit – Folklorit – Muzikës dhe aktivitetit muziko skenik – Dramës, Literaturës dhe botimit – Projekteve interdisiplinore – Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si edhe bashkëpunimi ndërkombëtar u shpallën më datë 17 tetor. Ndërsa rezultatet publikohen në fillim të vitit të ardhshëm. (koha.mk)