Strasburg, 24 janar – “Liria e mediave është kusht i domosdoshëm për zgjedhje demokratike, ata duhet të jenë të lirë ta informojnë publikun pa presione politike apo ekonomike”, konkludoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) duke theksuar se “Zgjedhja e votuesve nuk është me të vërtetë e lirë nëse nuk informohen mirë”, njofton korrespondenti i MIA-s nga Strasburgu.
Pas propozimeve të Gulsen Bilgehan (Turqia, Grupi Socialist), raportuese për këtë çështje, APKE u kërkoi vendeve anëtare “ta rishikojnë kornizën rregullator të tyre për mbulimin mediatik të fushatave zgjedhore”, duke përfshirë obligimin që mediave t’i mbulojnë fushatat zgjedhore “në mënyrë korrekte dhe të paanshme”, duke siguruar që partitë opozitare të kenë mbulim të balancuar të programeve.
Në debatin për këtë çështje, kreu i delegacionit parlamentar të Maqedonisë, Betian Kitev theksoi se “shumica vlerësojnë se prezantimi ditor i ngjarjeve nuk është në nivelin e gazetarisë cilësore”. Sipas tij, “mediat duhet të gjejnë ekuilibër të drejtë midis interesave të qytetarëve për demokraci dhe realitetin e kulturës së konsumatorit, duke u kujdesur që të parit të mos sakrifikohen për të fundit”.
Ai veçanërisht insistoi në rolin e rrjeteve sociale, të cilat e kanë përparësinë e arritjes së menjëhershme tek miliona njerëz, duke i lejuar të shpërndajnë informacion dhe mendime.
“Por kjo u jep përgjegjësi. Trajtimi i çështjes së objektivitetit të mediave duhet të mbajë llogari për rëndësinë e së vërtetës dhe vlerat demokratike. Mediat nuk duhet t’u lejojnë interesat e tyre të biznesit t’i tejkalojnë kërkesat e qytetarëve për demokraci”, theksoi Kitev.
Në rezolutën e miratuar nga APKE thuhet se “duhet të garantohet pavarësia redaktuese e mediave nga servisi publik, duke i dhënë fund çdo përpjekjeje për të ndikuar ndaj tyre ose për t’u kthyer në media qeveritare”.
Duke vërejtur ndryshimin në peizazhin mediatik me zgjerimin e mediave online dhe rritjen e rolit të mediave sociale, parlamentarët gjithashtu besojnë se shtetet duhet të zbatojnë strategji efektive për të mbrojtur procesin zgjedhor nga manipulimi me informacione dhe propaganda e panevojshme përmes mediave sociale.
Lidhur me këto media të reja, ata propozuan masa të tilla si zhvillimi i kornizave specifike rregullatore për përmbajtjen në internet gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe vendosja e përgjegjësisë së qartë ligjore për kompanitë e mediave që publikojnë përmbajtje ilegale të dëmshme për kandidatët. Megjithatë, shtetet duhet të kufizojnë masat ekstreme, të tilla si bllokimi i të gjitha faqeve, konsideron APKE.
Në fund të rezolutës rekomandohet që organizatat e mediave të zhvillojnë korniza të vetë-rregullimit me standarde profesionale dhe etike për mbulimin e fushatës. Ndërmjetësuesit në internet duhet të bashkëpunojnë me shoqërinë civile dhe organizatat nga të gjitha tendencat politike të cilat janë të specializuara për verifikimin e përmbajtjes, në mënyrë që të gjitha informatat të verifikohen nga një burim i palëve të treta me autoritet.