Shkup, 4 nëntor – Bisedat e përgjuara në rastet “TNT” për rrëzimin e kompleksit Kosmos dhe “Toplik” për ndërtimin e Qytetit të Diellit po bëhen pjesë e dëshmive që do të shfrytëzohen në këto procese gjyqësore, vendosi Gjykata e Apelit në Shkup. Gjykata e ndryshoi vendimin e Gjykatës Penale dhe i pranoi ankesat e Prokurorisë Speciale Publike me të cilat Prokuroria kërkoi që bisedat e përgjuara në lëndët “Toplik” dhe “TNT” të jenë dëshmi në procedurë gjyqësore. Prokurorët nga PSP dje në dy mbledhjet publike deklaruan se të akuzuarit në këto lëndë, ish-kryeminstri Nikolla Gruevski dhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski nuk janë viktima të përgjimit, por ata kanë qenë pjesë e pushtetit që ka përgjuar në mënyrë joligjore. Prokurorët pohuan se xhirimet kanë vlerë dëshmuese dhe me to nuk shkelet privatësia e të akuzuarve. Avokatët e të akuzuarve, ndërkaq, pohuan se bisedat e përgjuara janë përfituar në mënyrë joligjore dhe se shkelet privatësia e të akuzuarve. Xhirimet nga bisedat e përgjuara deri më tani janë pranuar si dëshmi edhe në lëndën “Treqind” në të cilën i akuzuar është ish-ndihmësministri në MPB, Gjoko Popovski dhe për “Dhunën në Qendër”, në të cilën i akuzuar është ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe rastin “Tenderët” në të cilin e akuzuar është ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska – Milevska.