“Lënda po lexohet nga prokurori përkatës. Bëhet fjalë për një material voluminoz, andaj edhe duhet kohë për shqyrtim. Besoj se deri kah fundi i këtij muaji lënda do të kthehet në Gjykatën e Apelit”, tha për KOHA, shefi i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, Mustafa Hajrullahu
Omer XHAFERI
Shkup, 5 shkurt – Besir Bela dhe Skender Demiri, të dënuar me nga 19 vite burg për vdekjen e të riut Nikolla Sazdovski, ende janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit të Shkupit për vërtetimin, ndryshimin apo refuzimin e aktgjykimit të Gjykatës Penale të Shkupit. Kjo lëndë gjyqësore, e cila shkaktoi reagime të ndryshime në opinion, prej më tepër se gjashtë muajt është dorëzuar në instancën e dytë gjyqësore. Por, vendim ende nuk ka. Përveç palës mbrojtëse të Belës dhe Demirit, e cila dorëzoi ankesë ku e konteston kualifikim juridik si “vrasje mizore” dhe lartësinë e dënimit, ankesë deri te Gjykata e Apelit dorëzoi edhe Prokuroria e Shkupit, e cila kërkon dënimin maksimal prej 20 vitesh burg. Siç mëson gazeta KOHA, kjo lëndë prej vitit të kaluar është dorëzuar për vlerësim në Prokurorinë e Lartë të Shkupit.
Shefi i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, Mustafa Hajrullahu, për gazetën KOHA, e konfirmon se rasti “Sazdovski” ende është për shqyrtim dhe se së shpejti, kjo lëndë gjyqësore do të kthehet Gjykatën e Apelit në Shkup. “Lënda po lexohet nga prokurori përkatës. Bëhet fjalë për një material voluminoz, andaj edhe duhet kohë për shqyrtim. Besoj se deri kah fundi i këtij muaji lënda do të kthehet në Gjykatën e Apelit”, tha Hajrullahu. Dënimet kapitale të shqiptuar nga Gjykata Penale e Shkupit ndaj Besir Belës dhe Skender Demirit, si nga avokatët, por edhe nga opinioni profesionist, u cilësuan si të njëanshme dhe selektive. Avokati Naser Raufi, mbrojtës i Besir Belës, shprehet optimist se Prokuroria e Lartë e Shkupit do të jep mendim pozitiv për shfuqizimin e dënimit të gjykatës së shkallës së parë dhe këtë do ta konfirmoj edhe Gjykata e Apelit.
“Mendoj si ekspert dhe objektiv, Prokuroria e Lartë e Shkupit do të jep mendim se në rastin ‘Sazdovski’, nuk ka të bëjë me veprën penale ‘vrasje mizore’, por se bëhet fjalë për ‘dhunë’, ashtu siç edhe ka qenë hetimi i prokurorisë. Gabimi i parë i Prokurorisë së Shkupit është ndërrimi i paragrafit nga hetim për ‘dhunë’, në aktakuzë të ndryshme. Pastaj në këtë rast nuk mund të ketë vrasje. S’ka elemente për vrasje. Qartë shihet se kjo lëndë u ndikua politikisht si nga protestat e tifo-grupit ‘Komitët’, ashtu edhe ndikimet tjera politike. Ne jemi të bindur se lënda do të kthehet në rigjykim, me urdhër të Gjykatës së Apelit se nuk ka elemente për vrasje”, tha Raufi. Përveç dënimeve me burg, Gjykata Penale e Shkupit, Belën dhe Demirin i obligoi ta dëmshpërblejnë familjen e të ndjerit me nga 70 mijë euro çdo njëri. Ndërkohë, disa muaj pas shqiptimit të dënimit, në qytetin e Hamburgut, në Gjermani, pas lëshimit të një fletëarresti ndërkombëtar, u arrestua edhe Jeton Luzha, i akuzuari i tretë i kësaj lëndë. Për momentin ndaj tij po zhvillohet procedurë e ekstradimit. Lidhur me këtë çështje, avokati Raufi potencon se me kërkesë të avokatëve të Luzhës, në Gjermani, ai u ka dërguar një shkresë në të cilën i ka potencuar shkeljet dhe parregullsitë që janë bërë në procesin gjyqësor ndaj dy të akuzuarve të parë në rastin Sazdovski.
Ndryshe, ngjarja tragjike ku humbin jetën i riu Nikolla Sazdovski, ndodhi më 29 qershor të vitit 2018, në stacionin e autobusëve në lagjen Autokomandë të Shkupit. Në përshkrimin e ngjarjeve se si ka ndodhur, të akuzuarit Bela e Demiri theksuan se atë ditë kishin dalë për të shëtitur dhe se takimi me të ndjerin kishte qenë i rastësishëm, i paplanifikuar dhe i pa qëllimshëm. Nga ana tjetër, Prokuroria e Shkupit tha se e gjithë ngjarja kishte qenë e orkestruar. (koha.mk)