Shkup, 11 shtator – Gjykata e Apelit në Shkup i ka konfirmuar në tërësi të gjitha dënimet me burg të shqiptuara nga Gjykata Themelore Penale -Shkup ndaj shtatë të akuzuarve për tentim -vrasje ndaj deputetit Ziadin Sela në Kuvendin e RM-së më 27 prill të vitit të kaluar.
Aktvendimi për rastin është publikuar më 5 korrik të këtij viti. Gjykatësja Sllavica Andreevska ndaj shtatë personave ka caktuar dënime me burg mes trembëdhjetë dhe dhjetë vjet, ndërsa dy të akuzuar të cilët e kanë pranuar fajin kanë marrë nga tre dhe një vit burg. Për shkak të mospasjes së provave të mjaftueshme, aktakuza është tërhequr për njërin nga të akuzuarit e parë.
Kire Georgievski ka marrë 13 vjet burg, Andrej Micov 10 vjet e gjashtë muaj, Oliver Oshakovski 10 vjet e gjashtë muaj, Nikollçe Dimitrievski 10 vjet e gjashtë muaj, Aleksandar Janevski- Toshta 13 vjet, Nikolla Vojminovski 13 vjet e gjashtë muaj dhe Kosta Delev 10 vjet e gjashtë muaj. Fajtorë janë pasi me paramendim kishin tentuar të vrisnin deputetin Ziadin Sela.
Aktakuzën e ka dorëzuar dhe përfaqësuar prokurori Darko Jakimovski nga Prokuroria publike e Shkupit.