Shkup, 3 janar – Qytetarët të jenë të gatshëm për kushte gjysmëpolare kohore gjatë gjashtë-shtatë ditëve në vijim me temperatura të ulëta deri në minus 22 gradë Celsius, borë dhe shi të ngrirë, të jenë të kujdesshëm gjatë planifikimit të udhëtimeve dhe të mos nisen në rrugë pa pajisje adekuate dimërore, apelon Trupi koordinues për ballafaqim me krizat. Sipas Oliver Rimevskit, drejtor i Drejtorisë për punë hidrometeorologjike (DPHM), vijon ndryshim drastik i motit për shkak të valës polare nga Siberia, e i cili do ta mbulojë tërë territorin e Ballkanit. Ndryshimi, siç tha, do të fillojë me shi dhe borë në vendet më të larta, ndërsa nuk është përjashtuar edhe paraqitja e shiut të ngrirë. “Qytetarët duhet të përgatiten për ndryshim drastik të temperaturës. Veçmë të enjten rënia e dëborës do të arrijë sasi të caktuara të cilat do të mundësojnë ndryshim serioz të motit. Me dëborë do të përfshihet tërë territori i Maqedonisë, ndërsa në vendet më të larta mbi 50 centimetra, ndërsa në vendet më të ulëta 25 centimetra. Do të fryejë erë e ftohtë nga drejtimi veriperëndimor, ndërsa temperaturat do të bijnë seriozisht nën zero. Të premten, të shtunën dhe të dielën, na presin temperatura të ditës prej minus dhjetë, ndërsa të natës edhe deri minus 22 gradë Celsius”, deklaroi Romevski, pas seancës së sotme të Trupit koordinues. Qytetarët, potencoi duhet seriozisht ta marrin parasysh parashikimin gjatë planifikimit të udhëtimeve sepse bora në kombinim me temperaturat e ulëta mund të sjellin probleme serioze dhe pasoja. Shërbimet e NP “Rrugët e Maqedonisë”, sipas drejtorit Gajur Kadriu, janë sistemuar në 37 pika në tërë territorin dhe 24 orë mbajnë kujdestari, me shkallë të dytë për mbajtje dimërore. Kadriu tha se ekipet, e pajisura me pajisje speciale dhe materiale gërryese, janë në të gjitha pikat, por që ajo nuk do të thotë se në kushte të jashtëzakonshme, siç parashikojnë meteorologët, komunikacioni mund të mbahet sikur nëpër rrugë të thata. “Apelojmë deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të pajisen me pajisje shtesë dimërore, e veçanërisht automjetet e rënda transportuese pa pajisje dimërore dhe të papërgatitura të mos nisen në rrugë, sepse ato janë pengesë e madhe gjatë motit të tillë. Të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të kenë kujdes dhe t’i respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit”, deklaroi Kadriu.