Ish-çiklisti holandez Steven de Jongh, aktualisht drejtor sportiv i skuadrës së Trek-Segafredo, i shpallur i humbur prej disa orësh, është gjetur falë një aplikacioni. Familja e tij nuk kishte asnjë informacion për çiklistin, që kishet dalë nga shtëpia në orët e para të mëngjesit, duke u stërvitur me biçikletë, në Spanjë.
Alarmin e dha bashkëshortja e tij, Renee Meier, përmes një mesazhi në “Twitter” dhe një tifoz, falë aplikacionit Strava, i përhapur dhe që përdoret shumë nga çiklistët, ka piketuar rrugëtimin që ka bërë De Jongh, i cili është gjetur i shtrirë dhe i dëmtuar, pas një rrëzimi të fortë.
Në ndihmë të 44-vjeçarit erdhën forcat zjarrëfikëse dhe u dërgua me urgjencë në spital me helikopter, ku ka marrë mjekimin e duhur, por nuk është në rrezik për jetën. De Jongh u tërhoq nga garat në vitin 2009, por këtë herë arriti të shpëtojë falë një aplikacioni dhe teknologjisë.