Urim HASIPI
Tetovë, 13 tetor-Komandanti i Njësisë territoriale kundër zjarrit të Tetovës apelon deri tek qytetarët e rrethit të Tetovës, që të pastrojnë oxhaqet në shtëpitë e tyre, pasi mospastrimi i tyre mund të shkaktojë shpërthim të zjarrit dhe e cila mund të jetë edhe fatale, shkruan gazeta KOHA. “Duke marrë parasysh se jemi në prag të stinës së dimrit dhe qytetarët tanë kanë filluar që të përdorin mjetet për ngrohje, posaçërisht me këtë rast do kisha përmendur disa raste nga përvoja që kemi pasur kur nëpër objekte të ndryshme, kanë shpërthyer zjarre nga përdorimi i druve dhe nga mospastrimi i oxhaqeve të objekteve të banimit dhe objekteve afariste, kështu që do kisha apeluar deri te qytetarët tanë, përderisa po mban kohë e kthjellët dhe e mirë, ta shfrytëzojnë këtë kohë të mirë për pastrimin e oxhaqeve dhe njëkohësisht të kontrollojnë edhe instalacionet rrjetet elektrike”, thotë për KOHA, Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Aliti më tej thotë se problem kohëve të fundit janë edhe ndërtesat shumëkatëshe. “Ajo që është më brengosësh, flas nga përvoja, janë objektet shumëkatëshe që janë në qytetin e Tetovës dhe në pesë komunat rurale. Apelojmë që të ndërmarrin masa në drejtim të pastrimit të oxhaqeve, për arsye se në këto raste hasim në shumë probleme kur intervenojmë pasi që objektet janë të lartë mbi dhjetë kate dhe qytetarët tanë përdorin dru, mirëpo oxhaqet gjithsesi apelohet që të pastrohen pasi që edhe me ligj qytetarët obligohen që oxhaqet e tyre t’i pastrojnë dy herë në vit. Uroj që këtë dimër ta kalojmë pa paraqitje të zjarreve, meqë tashmë dihet se zjarret lënë pasoja nga më të ndryshmet, andaj duam që qytetarët tanë të jenë të sigurt dhe të mbrojtur”, apelon Aliti.
Në ndërkohë, vazhdojnë të jenë prezent vështirësitë e intervenimit të zjarrfikësve në fshatrat që gravitojnë në komunat rurale, në fshatarët e Malësisë së Sharrit dhe rrugicat e Tetovës.
“Është shumë e vërtetë që ne si brigadë kundër zjarrit në Tetovë mbulojmë edhe pesë komunat tjera rurale që janë përreth Tetovës, siç janë komunat: Tearcës, Zhelinës, Jegunocit, Bërvenicës, Bogovinës, dhe na besoni që hasim në shumë probleme deri sa të arrijmë në këto komuna për të intervenuar në paraqitjen e ndonjë zjarri eventual, në intervenimin e katastrofave natyrore që ndodhin si ajo e vitit 2015 dhe tani në 2016. Hasim në shumë probleme dhe do kisha marrë si shembull Komunën e Tearcës, dhe Jegunocit, ku ne jemi të detyruar dhe të obliguar ndaj qytetarëve tanë që t’ju dalim në ndihmë deri në 34 ose 35 kilometra. Mund ta paramendoni derisa ne të arrijmë në fshatin e fundit që kufizohet me republikën e Kosovës deri në Jazhincë që është një rrugë mjaft e gjatë, mandej kemi vështirësi probleme me makinat tona, për arsye se nuk kemi makina tereni, nuk kemi që janë të përshtatshme, posaçërisht për terrene si në Malësinë e Sharrit dhe nëpër rrugicat e Tetovës”, ankohet kreu i zjarrfikësve të Tetovës. Disperzimi i njësisë territoriale kundër zjarrit Tetovë në komunat rurale të Pollogut, sipas Uka Aliti, është dashur që të bëhet qysh më herët.
“Disperzimin e brigadës së zjarrfikësve të Tetovës edhe nëpër komunat rurale e kemi si ide, kemi bërë projekte të ndryshme për materializimin e kësaj ideje. Do ishte shumë mirë që edhe komunat tjera të kenë punkte apo njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë dhe ato të disperzohet në nënstacione të tjera nëpër komuna rurale, pasi që qytetarët tanë do të ishin shumë më të sigurt dhe gjithmonë intervenimet e zjarrfikësve në raste eventuale të shpërthimit të ndonjë zjarri, do të ishin shumë më të suksesshme, pa marrë parasysh në paraqitje të zjarreve, në aksidente komunikacioni apo në katastrofa natyrore”, thotë Uka Aliti. (koha.mk)