Qefser ABDYLI
Shkup, 21 prill – Varfëria e madhe çfarë nuk të detyron të veprosh. Një nënë nga rrethina e Tetovës tash e disa vite jeton në Shkup dhe nuk e ka fatin të jetojë si çdo kush tjetër, në një shtëpi dhe me vajzën e saj. Ajo është e detyruar që çdo ditë të dalë tek Ura e Bit Pazarit, të zgjasë dorën dhe të kërkojë lëmoshë nga njerëzit që kalojnë atypari, shkruan gazeta KOHA. Fikrete Bajrami me lot në sy tregon për tmerrin se si është duke e përjetuar dhe se si është e detyruar të dalë në rrugë të kërkojë para. “Ka 10 vite që jetoj në mjerim. Deri para një viti kam jetuar në një shtëpi në Lagjen e Dizhonit, por na larguan nga aty, sepse e zonja e asaj shtëpie vdiq dhe burri saj na largoi. Tani prej një viti jetojmë pa shtëpi me vajzën 15 vjeçare, kemi qenë detyruar të flemë shumë net nën qiell të hapur”, tregon nëna Fikrete. Ajo thotë se tash e disa net së bashku me vajzën në shtëpinë e saj i ka strehuar një grua.
“Faleminderit prej një gruaje e cila na mori në shtëpinë e saj dhe tash me rëndësi është se po flemë brenda. Edhe ajo, jo që e ka shtëpinë e mirë, sepse e ka gjendjen për mjerim pasi nuk ka të ardhura nga askund, por ja bëjmë disi me paratë që i mbledhë gjatë ditës. Ndihmë kam kërkuar gjithandej, nëpër shoqata të ndryshme, nëpër hoxhallarë, disa më thonë nuk kemi, disa më thonë jemi duke rinovuar xhaminë dhe askush nuk ndihmon. Vajza shkon në shkollë, po mundohem me këto paratë e mbledhura t’ia plotësoj kushtet”, thotë me dhimbje Fikrete Bajrami. Përpos dhimbjes së varfërisë, ajo ballafaqohet edhe me sëmundje pasi dora e majtë nuk i punon aspak prej shumë viteve dhe nuk ka mundësi që ta mjekojë pa të holla. “Dora nuk më punon fare, para nuk kam për të shkuar te mjeku, sepse me para e mbledhura rrugës nuk mundë të bëj asgjë, pasi unë kam obligime të tepërta. Jam me vajzën, ajo është në shkollë, jam pa shtëpi. Ju lutem të më ndihmojnë, sepse më besoni që shumë rëndë e kam kur dalë e zgjas dorën”, thotë me lot në sy nëna Fikrete.
Edhe shtëpia ku jetojnë për momentin është për mjerim, ngjanë sikur të mos jetojë askush , sikur e braktisur, por që në realitet aty ka dikush që jeton, dhe është po kjo nënë me vajzën e saj, që nuk kanë zgjidhje tjetër pos të jetojnë aty. Zonja Munire, e zonja e kësaj shtëpie, është një grua me përkatësi etnike boshnjake, ndërsa thotë se kur e ka pa në atë gjendje nënën Fikrete, s’ka mundur të durojë ta sheh në rrugë me vajzën dhe menjëherë e ka marrë në shtëpinë e saj. “Kur e pashë në rrugë, e kuptova që është shqiptare, u trondita dhe thash deri ku paska ardhur gjendja e kësaj nëne myslimane shqiptare dhe pa mos menduar dy herë e futa në shtëpinë time, ku edhe sot e asaj dite jetojmë bashkë. Edhe pse shtëpia ime nuk i ka gjitha kushtet për jetesë, sepse që nga tërmeti ajo u shkatërrua edhe më shumë, por që do durojmë, më mirë në një shtëpi të futesh sesa në rrugë. Të bësh mirë është një nga virtytet më të larta njerëzore. Dashtë Zoti që t’i dalin në ndihmë kësaj nëne dhe të mos jetë më e detyruar të zgjasë dorën në rrugë. Edhe unë jam e papunë, jam e vetme”, thotë për KOHA, zonja Munire.
Nënë Fikreten e lamë me dorë të zgjatur në rrugë duke kërkuar lëmoshë, me shpresë që shumë njerëz do paraqiten dhe do i ndihmojnë, sepse gjendja e saj mundë të shihet dhe nëpërmjet fotografive, kurse të gjithë të interesuarit mundë të kontaktojnë për ndihmë në numrin e telefonit: +389 76 594 518.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara