Shkup, 28 nëntor – Shkupi është qyteti i solidaritetit, për këtë edhe ne sot të jemi solidarë, porositi zëvendëskryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi në nismën e sotme të ngritur nga Grupacioni Parklend “Prej for Shqipëria-dhuro”, njofton KOHA.
“Çdo ndihmë është e mirëseardhur dhe me rëndësi të madhe është të shoqërohemi të gjithë për një qëllim, ndërsa kjo është t’u ndihmojmë fqinjëve tanë të cilët janë në gjendje të vështirë”, tha Maliqi.
Përkujtoi se Qyteti i Shkupit tashmë ka dërguar dy ekipe në Durrës i cili është më i godituri nga tërmeti katastrofal, si dhe ndihmë materiale, dhe shtoi se biznesmen edhe vetë do të japë shembull me donacionin.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Sait Saito, theksoi se deri më tani nga thirrjet e tre operatorëve celularë përmes linjës 143 400 janë mbleshur 2 milionë e 460 mijë denarë gjegjësisht 40.120 euro, ndërsa siç tha, është hapur xhirollogari e veçantë për solidaritet të Kryqit të Kuq.
Ai theksoi se në Durrës tashmë po mbaron kërkimi për të mbijetuarit, sepse nuk ka asnjë person që nuk dihet se ku është dhe shtoi se tani aktivitetet duhet të përqendrohen në pastrimin e pasojave nga tërmeti. U bën thirrje qytetarëve që donacionet që i planifikojnë të jenë në mjete monetare, por nuk e përjashtoi edhe dhurimin në mjetet materiale, por ato para së gjithash të jenë ushqim i konservuar, ushqim foshnjash, medikamente dhe batanije.
Për to, siç tha, nevojitet procedurë e veçantë që të transportohen në Shqipëri, ndërsa paratë që do të vijnë në llogari menjëherë do të transferohen përmes Kryqit të Kuq të Shqipërisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha tha se menjëherë pas tërmetit kanë pasur takim me afaristët dhe janë mobilizuar dhe kanë hapur tre pika në Shkup, Tetovë dhe Strugë ku të gjithë të interesuarit mund të dhurojnë.
“Vetëm gjatë 24 orëve të para janë mbledhur donacione prej mbi 100.000 euro”, tha Hoxha.
Në ngarje ishin të pranishëm edhe shumë figura mediatike, si dhe ministri i Arsimit Arbër Ademi.
Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq solli kuti speciale për grumbullimin e donacioneve monetare për të cilat zëvendëskryetari Maliqi tha se shpreson se menjëherë të do mbushen. (koha.mk)