Urim HASIPI
Tetovë, 15 korrik – Familja katër anëtarshe Arsllani nga fshati Gradec jeton në kushte mizore, në një shtëpi e cila rrezikon të shembet dhe nuk plotëson asnjë kusht elementar për të jetuar, shkruan gazeta KOHA. Kryefamiljarja Husnije Arsllani, së bashku me dy djemtë e saj të mitur, Lirimin dhe Luanin, kërkon që të gjithë ata që kanë mundësi, të ndihmojnë për të ndërtuar një shtëpi, sepse jeta në këtë shtëpi të vjetër mbi 50 vjeçare është shumë e vështirë. Kjo shtëpi, e cila u ngjan shtëpive si në Afrikë, është me dy dhoma, kurse njëra është tërësisht e shkatërruar, kurse një dhomë jetojnë të katër anëtarët Husnija, bashkëshorti Agimi dhe dy djemtë, Lirimi dhe Luani.
“Kjo shtëpi është e vjetër ndoshta 60 vjeçare dhe ka dy dhoma, asnjëherë nuk ka asnjë kusht për të jetuar. Në një dhomë duhet të përgatisim ushqimin, duhet të qëndrojmë ditën dhe të flemë natën të katër anëtarët. Shtëpia është me baltë dhe me gurë, ku kanë jetuar prindërit e burrit dhe mund të bie në çdo moment”, thotë për KOHA, Husnija. Që skamja mos të ketë fund, kjo familje është pa asnjë të ardhur dhe mezi mbijeton, ndërsa ndërtimi i shtëpisë në këtë vend do të ishte i mirëseardhur për këtë familje, e cila jeton me frikën se një ditë kjo shtëpi do t`u rrënohet mbi kokë. “Kërkojmë nga të gjithë ata që kanë mundësi të na ndihmojnë. Kush sa të ketë mundësi, sepse ne vete me një ndihmë sociale nuk mund të ndërtojmë shtëpi të re. Vendi, edhe pse është me shumë pak hapësirë, por tjetër vend ku mund të ndërtojmë shtëpi nuk kemi. Por, edhe në këtë vend mund të bëjmë një shtëpi të vogël me kushte pak më të mira”, thotë kryefamiljari, Agim Arsllani. Edhe fëmijët e kanë vështirë të jetojnë në këtë shtëpi, ata nuk kanë asnjë kusht elementar ku jeta e tyre do të zhvillohej normalisht sikur edhe e shokëve të tyre. “Ne kemi nevojë për një shtëpi më të mirë si krejt shokët e mi. Kjo shtëpi ku jetojmë është shumë e vjetër dhe ne jetojmë në një dhomë e cila gjatë dimrit është shumë e ftohtë dhe pikon”, thotë Lirimi 11 vjeçar. Kryefamiljarja Husnija dhe Agimi, i cili nuk mund të punojë normalisht për shkak të problemeve me këmbën, së bashku me djemtë kërkojnë nga të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë në ndërtimin e një shtëpie të vogël, ku do të mund të jetonin pa frikë, ndërsa vet ata nuk kanë asnjë mundësi që të ndërtojnë një kulm mbi kokë, prandaj edhe apelojnë tek të gjithë dashamirët dhe njerëzit human që t’iu dalin në ndihmë. “E dimë se është krizë gjithandej, kemi mirëkuptim, por ne nuk keni asnjë rrugëdalje për të bërë shtëpinë vet me mjete tona. Ndihma sociale nuk mjafton për asgjë, as për bukë e as për sende tjera të nevojshme. I kemi dy fëmijë dhe të dy shkojnë në shkollë dhe ata kërkojnë, por nuk mund t`ua plotësojmë kërkesat, sepse edhe ata shohin se si moshatarët e tyre jetojnë më mirë, e këta nuk e kanë atë mundësi”, thotë kryefamiljarja Husnije Arsllani nga fshati Gradec. Të gjitha ata që duhet të ndihmojnë, mund të paraqiten në tel. 071 907 874. (koha.mk)