Qefser ABDYLI
Shkup, 9 mars – Pas publikimit të rastit në gazetën KOHA për dy vajzat e paralizuara të familjes Jakupi nga Shkupi, shoqata humanitare “Ilirida” ka ndërmarrë aksion të posaçëm për të ndihmuar këtë familje. Tanimë kanë filluar ndihmat e para për këtë familje nga individë, por nga shoqata thonë që përpos njerëzve human, duhet që me këtë rast të merren edhe institucionet përkatëse shtetërore, si Fondi për sigurim shëndetësor, që së paku barnat e nevojshme t’i marrin pa pagesë. “Kjo familje ka nevojë më shumë për të holla për t’ua siguruar barnat vajzave, sepse ato barna kushtojnë. Duke patur parasysh se kjo familje nuk ka asnjë ndihmë nga ana e institucioneve përkatëse, ne bëjmë apel që institucionet të ndihmojnë. Asgjë më shumë në mos intervenonin, mjafton që barnat t’ua japin falas, sepse kjo familje me 4000 denarë nuk mundet edhe barnat t’i blejë edhe të siguron bukën për ekzistencë. Ne sa mundemi u ndihmojmë me pako ushqimore, mirëpo ndonjëherë nuk mjafton edhe ajo pako duke patur parasysh nevojat që i kërkon një shtëpi”, thotë Ibrahim Curri, kryetari i shoqatës humanitare “Ilirida”.
Dy vajzat e familjes Jakupi që nga lindja janë të paralizuara dhe të sëmura psiqikisht, kurse nëna Xhemilja së bashku me bashkëshortin, që punon si punëtorë krahu në pazar, jetojnë me qira në një banesë dydhomëshe. Duke jetuar në një ambient të ngushtë dhe pa kushte, brenda dhomave ndjehet aromë e rëndë. Mirëpo, ata duhet të pajtohen me këtë, sepse dhoma ku qëndrojnë vajzat e sëmura duhet të jetë në çdo moment e ngrohur, si verës ashtu edhe dimrit, pasi kështu e imponon sëmundja e tyre. Përveç sëmundjeve, ata jetojnë pa asnjë të ardhur përpos ndihmës sociale prej 4000 denarëve. “Bashkëshorti im është i papunë, në pazar del ndonjëher për të parë nëse mundet të gjej ndonjë punë. Vajzat i kam të sëmura, janë të palëvizshme dhe më e keqja është se nuk mundë t’i lë vetëm as edhe një moment. Sapo t’i lësh vetëm, ato mundohen të lëvizin, kapin ndonjë gjë thyejn dhe më shumë e lendojnë veten. E vetmja që ma hapi derën ishte shoqata “Ilirida”, që prej atëher deri tani nuk më kanë lënë vetëm duke më sjellë pako ushqimore, më kanë sjellë edhe para të cilat i kan mbledhur”, thotë Xhemile Jakupi. Ajo falënderon të gjithë ata që kan kontribuar për t’u dalë në ndihmë, mirëpo përsëri apelon deri te njerëzit human që të ndihmojnë në të holla, sepse me të vërtetë kanë nevojë jo vetëm për barnat, por edhe duhet të blejë gati çdo ditë pelena dhe ushqim special, meqë ata nuk mund të hanë ushqimin si të gjithë njerëzit e zakonshëm.
“Unë i falënderojë të gjithë për ndihmat, sidomos shoqatën ‘Ilirida’, e cila deri tani na ka qëndruar afër. Mirëpo, ne kemi nevojë ende për të holla, sepse përpos 4000 denarëve, tjera të ardhura nuk kemi. I lus të gjithë ata që kanë mundësi le të më ndihmojnë, pasi me të vërtetë e kemi gjendjen keq dhe kemi nevojë për ndihmë. Siç mundë ta shihni, vajzat janë në gjendje të mjerueshme, nga të cilat nuk pres ndonjëherë shërim”, thotë me lot në sy nëna e tyre, Xhemile Jakupi. Të gjithë ata që duan të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit: +389 70 970 635, ose drejtpërdrejti në Lagjen Çair, në rrugën “Vukovarska 15”.
Të gjithë ata që duan të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktoojnë në numrin e telefonit: +389 70 970 635, ose drejtpërdrejti në Lagjen Çair, në rrugën “Vukovarska 15”.