Qefser ABDYLI
Shkup, 28 mars – Familja katër anëtarësh e Arif Eminit nga lagjja e Dizhonit në Shkup, tash e disa vite jeton në kushte tejet të rënda ekonomiko-sociale, shkruan gazeta KOHA. Që nga largimi i kryefamiljarit Arif Eminit nga puna, jeta e tyre morri një drejtim krejt tjetër, atë të mjerimit. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata kanë edhe djalin e tyre 25 vjeçar Besnik Eminin të palëvizshëm që nga mosha 5 vjeçare. Arifi, babai i Besnikut, tregon me dhimbje në shpirt se si erdhi deri në këtë gjendje djali i tyre, kur dihet se që nga lindja ishte si gjithë fëmijët e tjerë normal. “Në moshën 5 vjeçe pati temperaturë dhe e dërguam në spital menjëherë. Katër ditë e mbajtën aty, por temperatura ishte e pamundur t’i ulet. Pastaj e kanë marrë, ia bënë ca fotografi në kokë dhe kur ia dërgova rezultatet mjekut, ai më dha lajmin e hidhur se djali im nuk do të shërohet asnjëherë, do ta humb të folurën, do të jetë i pavetëdijshëm, do të jetë me pelena dhe që tërë jetën do të jetë me ilaçe. Dhe siç e shihni, kjo është gjendja e djalit, dhe me të vërtetë ta shohësh fëmijën në këtë gjendje qenka shumë vështirë”, thotë kryefamiljari Arif Emini. Ai theksoi se ka 9 muaj që e kanë larguar nga puna, kurse të ardhura nuk merr nga askund, përveç ndihmës sociale prej 4500 denarë. “Jam i papunë, të ardhura nuk kam, përveç ndihmës sociale që marr prej 4500 denarë. Edhe ato të gjitha për djalin më shkojnë, askush nuk na ndihmon, as nuk vijnë të na vizitojnë. As rrymën elektrike nuk kam mundësi ta paguaj, ilaçet e djalit kushtojnë shumë, afër 3000 denarë, sepse përdorë shumë ilaçe, ushqim s’kemi mjaftueshëm që ta ushqejmë. Ky më shumë i han vezët e ziera, por që po kushtojnë edhe ato. Më besoni se nuk po kam mundësi edhe ato t’ia blejë”, tregon me dhimbje babai i Besnikut.
Arif Emini gjithashtu për gazetën KOHA thekson se edhe vet është i sëmurë nga astma dhe diabeti, dhe se për një pompë astme për veten i nevojiten 3000 denarë. “Edhe vet jam i sëmurë nga astma dhe diabeti. Mua më nevojiten 3000 denarë për çdo pompë, por edhe insulinat të cilat ka kohë që s’i kam përdorur, sepse nuk na mjaftojnë paratë. Mirëpo, kur e shoh djalin që dergjë kështu, e harroj veten, duke u munduar që t’ia plotësojë të gjitha kushtet që i nevojiten”, thotë ai. Përveç këtyre gjërave shëndetësore ata vuajnë edhe për ushqim, sepse me 4500 denarë nuk mundë t’i mbërrijnë edhe ushqimin, edhe ilaçet e djalit, po as pelenat që i nevojiten. “Ne kemi nevojë edhe për ushqim. Kisha bërë apel deri tek të gjithë ata që kanë mundësi, të na ndihmojnë edhe me ushqim, sepse me të vërtetë jemi shumë keq”, thotë me lot në sy kryefamiljari Arif Emini. Nëna e Besnikut thotë se është shumë vështirë për atë, pasi që siç thekson ajo, Besniku peshon shumë dhe nuk mundë që ta ngrejë. Ai gjatë gjithë kohës qëndron i shtrirë përtokë, ndërsa edhe pse ka qenë ftohtë, prindërit e tij thonë se është e pamundur ta çojnë në krevat ta shtrijnë. “Është shumë vështirë për mua sepse është shumë i rëndë Besniku. E kemi edhe karrocën invalidore, mirëpo edhe ajo shkon shumë vështirë, ndonjëherë mundohet të lëvizë i vetëm, por mund të lëndohet, duhet gjatë gjithë kohës të rrimë me të në shtëpi. Jemi sëmurë të gjithë, kur e shohim kështu të digjet shpirti, të kishte lindur kështu do e dinim që kështu na e fali Zoti dhe do ishim pajtuar me këtë fakt, mirëpo më shumë na vret si erdhi në këtë gjendje pas lindjes”, thotë nëna e Besnikut. Gjatë vizitës së gazetës KOHA tek kjo familje, aty takuam edhe një anëtarë të shoqatës humanitare “Ilirida”, e cila u kishte sjellë një pako ushqimore. Ai për gazetën KOHA tregoi se do të vazhdojnë t’ju dalin në ndihmë kësaj familje edhe në ditët në vijim. “Ne sot ndihmuam me një pako ushqimore, ku pamë se me të vërtetë kjo familje ka nevojë shumë për të holla dhe për ushqim. Shoqata jonë s’do ta ndalë aktivitetin e saj për t’i ndihmuar kësaj familje dhe apelojmë nëpërmjet gazetës tuaj që të ndihmohet kjo familje sa më shpejtë të jetë e mundur, se me të vërtetë e kanë gjendjen shumë keq”, thotë humanisti Kenan Ademi.
Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund ta kontaktojnë në këtë numër telefoni: +389 71 950 410, ose direkt te Arif Emini në lagjen Dizhon të Shkupit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara