Pas ankesave të një sërë shtetesh evropiano-lindore anëtare të BE-së për “një apartejd ushqimor” në radhët e BE-së, Bashkimi Evropian bëri disa propozime për rritjen e cilësisë së prodhimeve ushqimore në këto vende. Në një takim të liderëve të Polonisë, Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë në të cilin mori pjesë edhe komisionerja e BE-së për mbrojtjen e konsumatorëve, Vera Jourova, u tha se BE-ja do të përmirësojë testet për të konstatuar nëse ka dallimeve mes produkteve që ofrohen në lindje dhe perëndim të Evropës. Shtetet e mësipërme evropiano-lindore kishin shprehur shqetësimin e tyre se në vendet e tyre konsumatorëve u ofrohen prodhime me cilësi më të ulët se në vendet perëndimore të BE-së. Në shkurt p.sh. Agjencia Hungareze për Sigurinë e Ushqimeve u ankua se Nutella që shitet në Hungari është më pak kremoze se ajo që shitet në Austri. Edhe Agjencia Sllovake për Veterinarinë dhe Sigurinë e Ushqimeve ka konstatuar dallime në 14 prej 33 prodhimeve që importohen në Sllovaki nga Austria. Po ashtu, agjencitë që merren me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Evropën Lindore kanë konstatuar dallime edhe tek pluhurat për larjen e rrobave si dhe tek artikujt kozmetikë. Komisioni Evropian tha se do të vërë në dispozicion 1 milion euro për përmirësimin e analizave për prodhimet ushqimore. Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker deklaroi se sipas ligjit nuk duhet të ketë konsumatorë të klasit të dytë.