Në vend se gjërat të kishin ecur përpara, duke mbindërtuar një shoqëri të organizuar civile, ne tani jemi kthyer shumë prapa, madje para viteve nëntëdhjeta. Pasojat e kaosit që përhapën multikulturalistët shqipfolës, të cilët një kohë bukur të gjatë ndërtonin mirëqenie private në kurriz të pabarazisë shqiptare, sot po shfaqen me koston e pariparueshme të mosorganizimit të mirëfilltë. Në Prilep ende është gjallë aparteidi
Nga Emin AZEMI
Një ngjarje primitive që kishte ndodhur para disa ditëve në një restorant të Prilepit, do të kishte qenë e denjë për ndonjë synopsis filmi triler. Aparteidi i pa shkulur nga kjo pjesë e Ballkanit Perëndimor që pretendon të bëhet pjesë e BE-së, nuk ka arritur të shkundë letargjinë e shoqërisë, të asaj shoqërie për të cilën kryeministri Zaev ëndërron se do të jetë e vetme, e pandarë, demek. Sloganet që i dëgjojmë nga politikanët asnjëherë nuk korrespondojnë me realitetin, kurse babai i futbollistit të famshëm Ezgjan Alioskit u desh në praktikë ta provojë se deri ku mund të shtrihet përdorimi i gjuhës shqipe. Nëse në këtë shtet e kanë këtë problem prindërit e sportistëve me fame ndërkombëtare, mund ta marrim me mend se çka pësojnë ata që janë totalisht anonim.
Por, në anën tjetër, cili është reagimi publik kundrejt kësaj ngjarjeje që kishte të gjitha elementet e aparteidit. Fatkeqësisht shoqëria shqiptare në Maqedoni nuk e ka një identitet të qartë social e estetik për të reaguar fuqishëm ndaj këtyre ofendimeve që iu bëhen. Kjo shoqëri funksionin mbi inercionin e ad-hoc ngjarjeve e situatave që nuk e kanë një dinamikë dhe itinerare të kristalizuar. Në anën tjetër, sado që kryeministri Zaev mundohet ta paraqesë Maqedoninë si një shoqëri të vetme, ajo si e tillë megjithatë ka kontrastet etno-psikologjike e kulturore dhe për rrjedhojë nuk mund ta flasim për një shoqëri kompakte. Në Prilep duhesh të maskohesh nën gunën e identiteteve të shpifura që t’iu shpëtosh kamarierëve të mallkuar që kanë aversion ndaj gjuhës shqipe. Qëllimin e mirë të kryeministrit do të duhej ta mirëpresim vetëm nëse koncepti i një shoqërie nënkupton edhe diversitetin mbi parimin e barazisë. Në të kundërtën do të kemi gradacion dhe mbivendosje të një kulture, gjuhe, tradite mbi tjetrën dhe për pasojë në vend të harmonisë na paraqitet kundërthënia, në vend të mirëkuptimit – paragjykimi dhe në vend të bashkëpunimi – “nënkontraktimi” në mes të madhit dhe të voglit, në mes të pronarit dhe qiraxhiut.
Tradita e aktivizmit qytetar në Maqedoni ka qenë ngushtë e lidhur me një filozofi urbane, që është munduar të refuzojë recidivat e sistemit monist. Por ky aktivizëm shumë pak ka mbajtur llogari për specifikat dhe diversitetet gjuhësore, kulturore e nacionale dhe për pasojë për shumë vite këtu është kultivuar njëfarë unifomizmi dhe eklektizmi ekstra-civil, duke u dhënë hapësirë të pamerituar badihavxhinjëve shqipfolës me agjendat e tyre private.
Në vitet nëntëdhjetë vepronte një Këshill për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Gostivar, i cili me gjithë mangësitë dhe hendikepet, megjithatë ishte institucioni i vetëm civil, që sensibilizonte shkeljet e natyrave të ndryshme në radhët e shqiptarëve. Ky këshill ishte aktiv, sidomos gjatë viteve të bërjes së Universitetit të Tetovës dhe falë alarmit që lëshonte ai u formua një mendësi e caktuar publike, madje në rang botëror, për dimensionin dhe rëndësinë e kësaj krijese arsimore e kulturore të shqiptarëve.
Në vend se gjërat të kishin ecur përpara, duke mbindërtuar një shoqëri të organizuar civile, ne tani jemi kthyer shumë prapa, madje para viteve nëntëdhjeta. Pasojat e kaosit që përhapën multikulturalistët shqipfolës, të cilët një kohë bukur të gjatë ndërtonin mirëqenie private në kurriz të pabarazisë shqiptare, sot po shfaqen me koston e pariparueshme të mosorganizimit të mirëfilltë.
Në Prilep ende është gjallë aparteidi. (koha.mk)