Vetëm në shoqëritë apatike dhe letargjike, diskriminimi dhe segregimi flagrant nuk arrin ta nxit dhe ta zgjojë nismën e formësimit të pikëpamjeve për një kuvendim serioz rreth këtyre temave. Në çdo shoqëri demokratike – dhe jo vetëm – temat që prekin interesin publik, ndjellin nevojën për komunikim. Pra, vet nisma e kumtimit (komunikimit) mes grupeve të caktuara në shoqëri sjell debatin dhe formimin e një ‘mendimi të caktuar publik” (opinioni publik)
Nga Shaqir ISLAMI
Vardari ndalet, Ap-ja Bedri nuk ndalet. Takat-li është ky ‘plakush’ empatik! E çon me këmbëngulje,dhe e shtyn me kokëfortësi luftën e farefisit të vet për ta cullakos sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Dhe kaq. Këtu dhe me kaq, mbaron takati i tij; vetëm për shkak se e mbarë shoqëria jonë – e ndarë në grupe të ndryshme, interesi, fetar, të zanateve, politikë, racorë, … etj – nuk e formonpublikun, që pastaj të ushtrojë trysni ndaj pushteteve të caktuar.
Por – në politikë si dhe në kinema – çdo gjë mund të ndodh !! Helbete i teket Albin Kurtit, dhe e çel filialin e vet në Maqedoninë e Veriut me Ap’jënBedri si prijës të kauzës së albinizmit në Ballkan. Dhe, hooop, Ap-ja jonë bëhet yll politik!!! Për këtë skenar, le ta presim që koha le ta thotë të veten. Ndonëse, veprimtaria e Apës Bedri ende nuk mund të del jashtë gardhit farefisnor. Për shkak se kjo çështje trajtohet si e tillë, dhe jo si problem i mbarë shoqërisë shqiptare në vend. Prandaj, dhe largohet nga zgjidhja e duhur. Për shkak të takatit politik. Shteti e pa dhe e mati ‘takatin politik’ të farefisit të viktimave, meqë në protestën e mëparshëm e zgjeroi listën e viktimave duke burgosur edhe anëtarë tjerë të farefisit që protestojnë. Tani ap-ja i shkretë, proteston edhe për lirimin e protestuesve duke krijuar tymnajë dhe mjegullnajë që përfundon me paqartësi në shoqëri. Pra shteti arriti që ta de-fokusojë vëmendjen, duke e shpërndarë energjinë e protestës në më shumë pika. Në vend që të zgjidhet një hall; kemi shtimin e halleve tjera, që e dobëson qëllimin kryesor dhe e mbyt aktin e protestës si vegël e rëndësishme e punës dhe zhvillimit të demokracisë në vend.
Le ta themi se – jo vetëm në demokraci, qytetarët i zgjidhin problemet duke u bashkuar rreth një teme të caktuar. Loja demokratike është shumë e thjesht! Shumë, shumë e thjeshtë!! Qytetarët për t’u përballur me një organizatë të fuqishme siç është shteti – me burime parash dhe njerëzish me bollëk – ata bashkohen rreth një teme, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë, por gjithmonë që lidhet me interesin publik, ja, siç është duke protestuar Ap-ja me farefisin e vet.
Dhe siç di të ndodh shpesh – dhe jo vetëm kaq, por në shumicën e rasteve, shumë synime qëllimmira dinë ta sharrojnë shtegun dhe të shtrembërohen rrugës duke e humbur orientimin ose duke i ndjekur gjurmët e veta dhe rrotullohen rreth-e-rrotull vetes. Kësaj dukurie populli jonë dinak nga përvoja dhe zgjuarsia i thonë: “Sillesh si pordha nëpër brekë”. Gjyshi im, ndjerë pastë, ma përsëriste shpesh këtë fjali derisa punonim fushën. Sidomos, kur nuk ishte i kënaqur nga puna ime. Ndonëse, isha ende fëmijë, nja dhjetë-a-nëntë vjeçare. Pra, një punë e bërë pa rezultat pozitiv!
Drejtësia e një vendi nuk është çështja vetëm e një halli familjar ose farefisnorë; sepse, halli familjar është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë të sistemit-diskriminues të drejtësisë në vendin tonë. Janë ‘iks raste me variacione’ me këtë temë ! Natyrisht, raste flagrante – të shkeljes dhe nëpërkëmbjes së ligjeve, rregullave dhe parimeve të pushtetit të drejtësisë – të pazgjidhura me temën e keqpërdorimit, të shtrembërimit dhe të politizimit të drejtësisë.
Të gjitha këto ndodhin mu para syve, veshëve dhe hundëve tanë – dhe ne me dhjetëvjeçarë me radhë kemi aktruar ‘qorrin’ dhe ‘shurdhë-memecin’, duke shpërfillur hallet dhe telashet e të tjerëve, menjë psherëtimë të thellë tutsanësh: “shyqyr Zot, që nuk na ndodh ne”! E kjo, ndër popull trajtohet si akt qyqarie, me një thënie – mbase vulgare, por është shumë e pranishme në kulturën tonë popullore-gojore: “dy gishta larg bythës time, po deshi le të kallet dynjaja”.
Ky akt primitiv është tradhti e interesit publik. Ky është arsyetim qyqar, ku ashiqare interesi personal vendoset mbi interesin publik. E kjo mendësi e shtrembëruar kolektive, është duke bërë kërdi në trungun tonë, është duke na zhbërë dhe duke na shkombëtarizuar, njëkohësisht. Prandaj, vlerësohemi nga të tjerët si “popull që vlen pesë-pare”.
Kjo qasje e përçudnuar dhe e shtrembëruar dash-e-pa-dash ndaj interesit publik, është shkaku kryesor për impotencën e klasës politike. Ky është thelb i një klase-politike të ‘pa-takat’ dhe ‘pa-neps’. Prandaj, vepron dhe duron si një karikaturë politike.
Pra, të gjitha këto ngjarje të veçanta familjare dhe farefisnore, mbeten halle dhe telashe të ngushta familjare. Vetëm në shoqëritë apatike dhe letargjike, diskriminimi dhe segregimi flagrant nuk arrin ta nxit dhe ta zgjojë nismën e formësimit të pikëpamjeve për një kuvendim serioz rreth këtyre temave. Në çdo shoqëri demokratike – dhe jo vetëm – temat që prekin interesin publik, ndjellin nevojën për komunikim. Pra, vet nisma e kumtimit (komunikimit) mes grupeve të caktuara në shoqëri sjell debatin dhe formimin e një ‘mendimi të caktuar publik” (opinioni publik). Grupet gjatë kumtimit për një temë, me argumente dhe pikëpamje që tërësisht kundërshtohen mes veti, doemos ta arrijnë konsensusin në fund. Këtë proces dinamik,në demokraci i quajnë mendim i publikut (opinion publik).
Kjo është fuqia që i mungon Ap-jës Bedri. Fajtor nuk është ai. Faktorë është shoqëria jonë apatike dhe frikacake, që e shpërfill hallin e fisit të Ap-jës, dhe nuk e pranon si problem i mbarë shoqërisë, dhe jashtë interesit publik.
(Autori është koumnist i rregullt i gazetës KOHA)