Shkup, 30 maj – Askush me siguri nuk mund të thotë nëse çmimi i energjisë elektrike në të ardhmen do të jetë më i ulët. Kjo është sikur ta parashtroni pyetjen se a do të jetë çmimi i naftës ose i ndonjë metali tjetër më i ulët, porositi sot zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Ai këtë e tha duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në punëtorinë përmbyllëse për Përkrahje teknike të Republikës së Maqedonisë në tregun e organizuar për energji elektrike, e në lidhje me çmimet e rrymës në përputhje me Ligjin për energjetikë.
“Gjithsesi mund të garantoj se me Ligjin e ri, çmimi i energjisë elektrike për qytetarët gjithmonë do të jetë më i favorshëm në krahasim me atë që e ofronte ai paraprak”, tha Angjushev.
Ai sqaroi se kjo mundësohet me mekanizmin e furnizuesit universal, që vendoset me Ligjin.
Sipas vendimit të ri ligjor duhet të shpallet konkurs për furnizuesin universal në afat prej 90 ditëve nga hyrja në fuqi të Ligjit. Këto 90 ditë tashmë vazhdojnë, duke marrë parasysh se ligji para pak kohe u miratua, ndërsa furnizuesi universal do të zgjidhet në tender dhe në këtë zgjidhje më nuk do të ketë pranim të shpenzimeve joproduktive nga ana e Komisionit rregullator.
“Kompanitë do të mund që me shpenzimet e tyre t’i përfshijnë në ndonjë kornizë mbi energjinë e furnizuar elektrike dhe këtu do të jetë konkurrenca e tyre. Ligji stimulon kompani të orientuara të tregut, që në bazë konkurruese do të stimulohen t’i zvogëlojnë shpenzimet joproduktive”, sqaroi Angjushev.
Ai shtoi se furnizuesi universal garanton dy punë. Së pari qytetarët janë të mbrojtur. Bashkësia energjetike është pajtuar që në dispozitat kalimtare të Ligjit të qëndrojë se vitet e para, duke filluar që nga viti i parë i implementimit, 80 për qind nga energjia e prodhuar elektrike nga prodhimtaria vendore ELEM të shkojë deri te qytetarët nëpërmjet furnizuesit universal, me çka qytetarët në afat më të gjatë do të jenë të mbrojtur nga goditjet e çmimeve të tregut.
Ligji i mëparshëm ofronte mbrojtje deri në vitin 2020, ndërsa ky i riu ofron mbrojtje në shtatë-tetë vitet e ardhshme, në të cilat në vazhdimësi do të bie përqindja e energjisë së prodhuar elektrike nga ELEM, që do të shkojë për amvisëritë.
E dyta, do të ketë përfitim për kompanitë e RM-së dhe për të gjithë ata që duan të jenë në tregun e lirë, sepse kompanitë e mesme sot paguajnë 140 deri 150 euro për megavat orë, ndërsa konkurrenca e tyre nga Evropa paguan 50 deri 60 euro megavat orë. Kjo u mundëson që ata të luftojnë në tregun botëror. Ligji mundëson që Maqedonia të jetë pjesë e familjes evropiane edhe në kuptim energjetik, tha Anxhushev.
Ai theksoi se për momentin në shtet për tregti me energjinë elektrike janë të licencuara mbi 50 kompani, ndërsa për furnizim mbi dhjetë.
Anxhushev shtoi se qytetarët do të mund ta zgjedhin furnizuesin e tyre, pasi të zgjidhet ai universal.
“Në momentin kur do të zgjidhet furnizuesi universal, do të krijohen kushte që edhe qytetarët të mund të jenë në tregun e lirë”, sqaroi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike.