Në vitin 2017, Anxhela Hamati, publikoI videoklipin “Aman Djalo”. Muzika e këngës u punua nga Vani Rushiti, ndërsa teksti u shkrua nga Vojsava Alia. Videoklipi u prodhua nga kompania FRAME Pro, më pas publikoi projektin “Këmbana zemrës”, ndërsa vitin e kaluar nxori projektin “Luje aman”, dhe sot – ajo vjen në një intervistë për gazetën KOHA ku tregon më shumë rreth vetes si një këngëtare sharmante e skenës shqiptare që ecën ngadalë, por me hapa të sigurt në karrierë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Është bërë pak si shume fresk këto kohë, kohë për risi. Ke një këngë në treg apo jo?
Një këngë dhe një klip. Tani së shpejti do vijë tjetri, e tjetri e kështu me radhë derisa të thoni, boll më.
KOHA: Pse duhet dëgjuar muzika jote?
Sepse është profesionale, e këndshme dhe këndohet me shumë dashuri…për këtë të fundit më shumë.
KOHA: Sa të madhe e ke dashurinë në ato momente kur futesh në një studio dhe hedh vokalin për një këngë të re?
Shumë të madhe… (qesh) 99%!
KOHA: Sa ka në muzikë pjesë nga jeta jote?
Jam unë që interpretoj, që këndoj por tekstin e bën tjetërkush kështu që në tekst mendoj së është jeta e dikujt tjetër e personifikuar në jetën e gjithkujt prej nesh.
KOHA: Cili nga personat publikë do të doje të të ftonte për darkë?
Nuk është se kam ndonjë fiksim, po kam simpati për Robert Berishën.
KOHA: Nga mënyra si e ke thënë duket që ke dobësi për të…
Më shumë se për të kam dobësi për mënyrën se si ka zënë vend në muzikën shqiptare.
KOHA: Po ai që nuk e ka humbur shansin për të të ftuar për darkë?
Akoma nuk më kanë ftuar për darkë, jo persona publikë të paktën.
KOHA: Më thuaj thashethemin e fundit që të ka rënë në vesh.
Kam dëgjuar që një person kishte thënë për mua: “Këtë e kam bërë unë këngëtare ….”edhe ca gjëra të tjera që ende nuk i di as unë për veten.
KOHA: Po ti me shoqet, çfarë muhabeti bën në tavolinë?
Lloje-lloje, varet! Qajmë hallet e njëra-tjetrës edhe na mblidhen hallet bashkë (qesh) edhe mbushet një thes me halle! Bëj shaka, libri “Sekreti” të zbukuron jetën kështu që ua këshilloj dhe juve nëse ende nuk e keni lexuar, që nuk besoj.
KOHA: Cili është halli që qëndron në grykë të thesit, ai më i freskëti?
Si t’i bëjmë njerëzit të mendojnë pozitivisht dhe të gjejnë gjëra pozitive edhe aty ku mendon se nuk ka.
KOHA: Ka receta?
Jo…
KOHA: Apo i merr edhe pa recetë?
Si të gjithë! (qesh)
KOHA: Çfarë di të bësh më mirë në jetë, përveçse të këndosh?
Shumë gjëra! Një ndër to të lexoj pa fund dhe te eksperimentoj me fusha të ndryshme të punës.
KOHA: Djali që do të rrëmbeje zemrën do doje të kishte para?
As të ketë, as të mos i mbarohen!
KOHA: Çfarë ke kundra parave?
Asgjë! Madje duhen se si do bëhen këngët e klipet, e gjërat me radhë…