Ka sjellë një këngë që këndohet, kërcehet, dje gëzohet me të. Një bashkëpunim i veçantë i këngëtares talent Anxhela Hamati dhe atij italian Carlo Bagli. “Calmami” titullohet kënga që ka ndezur zemrat e publikut nën interpretimin origjinal të zërit artistik të Hamatit. Ajo ka folur për këtë këngë në intervistë për gazetën KOHA, pa harruar edhe disa detaje që e dallojnë në lëmin muzikor…!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Anxhela, tani që sapo nisëm intervistën ka një diell përvëlues. Dielli të gëzon apo të acaron?
Të dyja bashkë.
KOHA: Ke sjellë një këngë mjaft solare me titull “Calmami” dhe për më tepër është bashkëpunim me një këngëtar të huaj, Carlo Bagli, më trego pak më shumë..!
Klipi është xhiruar ne Vlorë, bashkëpunimi erdhi si ftesë e këngëtarit italian Carlo Bagli dhe fabula është dashuria mes dy të rinjve nga dy vende si Shqiperia dhe Italia, ndërthurjen kulturore por edhe atë ndërpersonale. Është këngë verore që vë në lëvizje adrenalinën dhe dëshira për të kërcyer është në maksimum. Shpresoj të pëlqehet vërtet edhe pse jam e bindur që do jetë hiti i kësaj vere.
KOHA: Për çfarë të ka marrë malli?
Për dimrin, e dua shume këtë stinë, vdes per dëborën e parë të çdo viti; Pastaj, në dimër, sado ftohtë që të jetë, gjendet koha për takime me miq, me çajra të ngrohta, çokollata të ngrohta dhe për të bërë humor në tavolinat ku mblidhesh. Është bukur!
KOHA: Ç’mund të thuash për Anxhelën gjimnaziste?
(Qesh) Çdokush në moshën e adoleshencës ka qenë paksa i çmendur, kështu që gjithkush e gjen veten, aty, kush më pak e kush më shumë.
KOHA: Këngëtare dhe pogradecare; kombinim shpërthyes…
Pse jo!? (Qesh)
KOHA: Sot, pjesa dërrmuese e njerëzve kanë krijuar varësi nga Instagrami, Po ti?
Me thënë të vërtetën, kam pak nga instagrami; ky është një mjet komunikimi i domosdoshëm. Të gjithë kanë njerëz jashtë Shqipërisë dhe Instagrami është një mënyrë e mirë lidhjeje me ta. Është shumë efikas. Unë e përdor.
KOHA: Përshkrim i yti krahas një fotoje në instagram duke kënduar : “Without music life would be a mistake” (Pa muzikë jeta do ishte një gabim) Tani, duam koment nga ti…
Gjej një përshkrim tjetër, këtë gjete?! (Qesh) Nuk po bëj koment, se nuk ka nevojë, i jap vetëm shumë “like” e zemra nëse do kisha mundësi. Jeta pa muzikë do ishte pa shije.
KOHA: Pa çfarë nuk bën dot Anxhela?
Pa familjen, muzikën dhe miqtë e zemrës. Është trinom i lidhur fort me njeri-tjetrin.
KOHA: Çfarë bën ti për t`i mbushur me kulturë ditët e tua?
Pa dyshim që mundohem të gjej kohën për të lexuar dhe për të dëgjuar muzikë.
KOHA: Si nga Pogradeci që të kemi, di të bësh lakror, me?
Po patjetër! Të jesh pogradecare dhe të mos dish të bësh byrek, është e pafalshme.