Shkup, 13 janar – Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të së akuzuarës Nadica Nikoliq, ka shtyrë seancën e sotme për lëndën gjyqësore “Fortesa-Target”.
Avokati Lupço Shvërgovski deklaroi se mjeku amë e informoi të akuzuarën se trajtimi do të zgjas 10 deri 15 ditë. Mbrojtja gjithashtu deklaroi se diagnoza e së akuzurës është bronkit akut dhe ajo po merr antibiotikë. Këshilli penal, i kryesuar nga gjykatësja Xheneta Begtoviq, deklaroi për këtë rast se ata do të justifikonin mungesën e së akuzuarës për sot, por kjo nuk do të thotë që ata do ta bëjnë atë më 15 janar, në seancën tjetër. Ndërkohë, gjykata njoftoi se ata do të kontaktojnë mjekun amë për informacion shtesë.
Sot me propozim të mbrojtjes është caktuar të dëshmojnë Zvonko Kostovski dhe Gjorgji Llazarevski, dy informatorët që zbardhën skandalin me përgjimin joligjor masiv. Por, para se të shtyhej seanca e sotme, mbrojtja deklaroi se po tërheq propozimin që personi Gjorgji Llazarevski të dëgjohej si dëshmitar.
Të akuzuarit në këtë lëndë janë ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish DSK-së, të cilët akuzohen për përgjime joligjore të mbi katër mijë numrave telefonikë në periudhën nga viti 2008 deri vitin 2015.