Shkup, 9 shkurt – Gjykimi për lëndën “T.N.T” të Prokurorisë Speciale Publike, në të cilën të akuzuar për rrëzimin e kompleksit “Kosmos” janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe ish kryetari i komunës së Gazi Babës Toni Trajkovski, është anuluar për më 15 shkurt.
Anulimin e propozoi gjykatësi Ognen Stavrev, në çka mbrojtja reagonte se koha është e shkurtër dhe se nuk kanë mjaft kohë që të përgatiten. Paraprakisht, të martën gjykatësi u bëri thirrje në bisedë, për atë nëse do të caktohet termin shtesë ose do të mbetet 15 shkurti.
Para gjykatës ka reaguar Nikolla Gruevski, i cili gjykatësit i tha se nuk është e drejtë sepse nuk i lihet mjaft kohë për përgatitje.
“Të hënën, të martën dhe të mërkurën tërë ditën jemi në seancë, ndërsa ju caktoni gjykim menjëherë të enjten. Kështu nuk kemi kohë t’i dëgjojmë incizimet, t’i shohim dëshmitë dhe të përgatitemi”, tha Gruevski.
Gjykimin e vlerësoi si farsë.
“Një politikani tjetër i caktohen mbledhje për tre muaj, ndërsa mua për tre ditë”, tha Gruevski.
Mile Janakieski, gjithashtu, vërejti se nuk kanë mjaft kohë t’i dëgjojnë incizimet, sepse javën e kaluar çdo ditë kanë qenë në gjykim.
Paraprakisht, në fillim të seancës së sotme gjyqësore avokati i mbrojtjes Dimitar Dangov kërkoi ndërprerje të debatit që të lexohet procesverbali i bërë në bazë të video-incizimit nga mbledhja e kaluar më 24 janar, ndërsa e cila u ishte dhënë në fillim të gjykimit. Mbrojtja ka reaguar se nuk e kanë marrë procesverbalin në afat prej 24 orësh, ashtu siç parashikon ligji.
Prokurori Burim Rustemi, tha se nuk ka nevojë për anulim dhe kërkoi nga gjykatësi Ognen Stavrev mbledhja të vazhdojë.
Në rastin “T.N.T.” të akuzuar janë shtatë persona, mes të cilëve edhe inspektorja ndërtimore e Gazi Babës dhe tre anëtarë të komisionit komunal për furnizime për rrëzimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit dhe kryetar të Partisë për të Ardhme Evropiane Fiat Canoski.
Sipas Prokurorisë, me procedurën e rrëzimit është shkaktuar dëm prej 16 milion eurosh, ndërsa plotësisht në buxhetin e komunës së Gazi Babës edhe tre milion denarë. Canoski dhe firma FIMET paralajmëruan se do të parashtrojnë kërkesa për dëmin e shkaktuar. Të akuzuarit e mbledhjes së kaluar u shprehën se nuk ndjehen fajtorë.
Të shtatë të akuzuarit, në seancën paraprake u deklaruan si të pafajshëm.
Gjykata e Apelit më 4 nëntor të vitit të kaluar vendosi që bisedat e përgjuara në rastin “T.N.T.” të mund të shfrytëzohen si dëshmi në procedurën gjyqësore.