Shkup, 2 korrik – Ministria e Mbrojtjes sot e anuloi marrëveshjen për furnizim të 14.000 kompleteve të uniformave ushtarake-të terrenit, për shkak të, siç informojnë, mospërmbushjes së marrëveshjes për furnizim nga ana e ndërmarrjes, e zgjedhur në procedurë publike dhe transparente.
Nga Ministria theksojnë se asnjëherë nuk do të heqë dorë nga qëllimi që secili pjesëtar i Armatës të ketë uniformë me cilësi të lartë, pa kompromise dhe kalkulime dhe se në pajtim me procedurën do të aktivizohet edhe garanca bankare.
“Shkaku për prishjen e marrëveshjes është që në afat prej 50 ditëve për dorëzim të mostrave, në pajtim me marrëveshjen për furnizim të 14.000 kompleteve të uniformave ushtarake-të terrenit, ndërmarrja nuk dorëzoi mostra komplete dhe certifikata adekuate, dhe e njejta nuk e bëri atë as pas afatit shtesë prej 15 ditëve i cili është caktuar në marrëveshje”, thuhet në kumtesën e MM-së.
Theksojnë se në disa ditët në vijim, e tërë procedura do të përsëritet dhe pjesëtarët e Armatës do të pajisen me uniforma të reja.
“U bëjmë thirrje kompanive të interesuara të paraqiten vetëm nëse mund ta arrijnë cilësinë të cilën e kërkojmë në specifikacion të dokumentacionit të tenderit. Informojmë se ndërmarrja e cila në tenderin e parë nuk e ka respektuar marrëveshjen, nuk do të mund të marrë pjesë në procedurën e përsëritur, në pajtim me Ligjin për furnizime publike”, thuhet në kumtesën e MM-së.(koha.mk)