Shkup, 22 shkurt – Në Gjykatën Penale në Shkup sot seanca gjyqësore për lëndën e Prokurorisë Publike Speciale lidhur me ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013 u anulua për më 10 mars. Në seancë prokuroret publike speciale, Katica Janeva dhe Fatime Fetai janë dënuar me gjobë prej 2.000 eurosh për shkak të mosrespektimit të gjyqtares, Tatjana Mihajllova. Ato e akuzuan gjykatësen se ka bërë falsifikimin e procesverbalit të seancës së kaluar për gjykimin për protestat e dhunshme para komunës Qendër. Gjyqtarja Mihajllova e ndërpreu seancën pasi që nuk ka pasur kushte që ajo të mbahet, ndërsa dha urdhër që të gjitha shkresat e seancës së sotme t’i dorëzohen Këshillit të prokurorëve publikë, si, sipas saj kompetent për PPS-në. Në rastin për dhunën janë akuzuar 14 persona, prej të cilëve pesë si nxitës, ndërsa të tjerët si autorë të drejtpërdrejt të dhunës. Në mesin e të akuzuarve është edhe Nikolla Gruevski, ish-kryeministër, i cili sot doli në seancë, ish-ministri Mile Janakieski dhe ish-këshilltarja në Komunën Qendër, Daniela Rangellova. Prokuroria Publike Speciale e ngriti këtë rast më 15 shtator.