Krerët e shtetit nuk do të zmbrapsen nga synimi për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, pas dështimit që këtë ta bëjnë fundjavën e kaluar. Kështu ka thënë analisti Imer Mushkolaj, sipas të cilit, edhe pse Kuvendi proklamoi nisjen e pushimit dimëror, seanca mund të thirret edhe gjatë kohës sa është zyrtarisht në pushim, shkruan sot Koha Ditore. Përfaqësues të shoqërisë civile e diplomatë të huaj e kanë cilësuar të rrezikshme iniciativën për ta shfuqizuar Specialen, e cila erdhi nga hiqi. “Rreziku nuk ka kaluar. Seancë e jashtëzakonshme mund të thirret edhe gjatë kohës sa Kuvendi është zyrtarisht në pushim. Sërish do të tentohet që ligji të shfuqizohet. Kjo është një lojë e rrezikshme për vendin, në të cilën janë të përfshirë ata që mund të jenë subjekt i procedimit nga Gjykata Speciale”, ka thënë Mushkolaj për “Kohën Ditore”. Sipas tij, gjithçka po bëhet me qëllim të krijimit të një situate të re për negocim të rasteve që mund të procedohen, por edhe për të dërguar sinjal që, nëse ndodh ndryshe, situata mund të destabilizohet. Ndërkohë, përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, e ka pasur një porosi për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në shënimin e 19-vjetorit të betejës te Tabet e Llapashticës në Podujevë, ai ka kërkuar nga ta që të mos e lejojnë funksionalizimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së. Të kundërtën, Jashari e ka quajtur keqpërdorim të votës së tyre nga deputetët e Kuvendit. “Në situatën çfarë sot jemi ka vend për kritika, ka shumë vend për të shprehur dilema se a po realizohet amaneti i dëshmorit, se a po respektohet lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së? Dhe unë me përgjegjësinë morale dhe njerëzore ju them para jush se jo. Sepse pas përfundimit të luftës janë krijuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe këto duhet të jenë më të gatshme dhe më këmbëngulëse që të mos lejohet të degradohet lufta ose të krijohen siç nuk kanë hapur madje edhe rrugë të zgjedhurit tanë që të krijohet Gjykata Speciale për t’u dënuar kinse lufta e UÇK-së dhe se pjesëtarët e saj kanë bërë krime”, është shprehur Xhavit Jashari në këtë tubim