Delvina KËRLUKU
Dr. Anton Pançev ka lindur në Bullgari, në vitin 1978. I ka kryer studimet në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku ka përfunduar ‘Shkenca politike’ (2003) dhe Ballkanistikë (2007). Në 2006 – 2007 ka studiuar një semestër në Universitetin e Prishtinës. Doktoroi (2013) në Universitetin e Sofjes me temë mbi zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991. Në këtë Universitet nga viti 2009 punon si profesor asistent në Departamentin e Ballkanistikës. Ai është lektor i lëndëve: Gjuhë shqipe, politikat e vendeve ballkanike. Merret me hulumtime të lidhura me gjuhën shqipe, me historinë e lidhjeve shqiptaro-bullgare, me zhvillimet politike ndër shqiptarët.
KOHA: Z. Pançev, keni lindur në Bullgari, ndërsa flisni shqip. Çfarë ju motivoi që Ju të shprehni interesim për gjuhën tonë shqipe?
PANÇEV: Unë e mbarova Degën e Ballkanistikës pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku gjuha shqipe është lëndë obligative, së bashku me rumanishten dhe me greqishten. Universiteti i Sofjes ka tradita të vjetra në fushën e Albanologjisë dhe jep një përgatitje të mirë. Në atë kohë kisha dëshirë të bëhesha specialist për politikën e vendeve ballkanike dhe njohja e gjuhëve të popujve nga rajoni ishte kusht i domosdoshëm. Vendosa të merresha pikërisht me shqipen pas pjesëmarrjes sime në Seminarin e gjuhës shqipe në Prishtinë para 12 vjetësh, sepse u kënaqa shumë me nivelin e organizimit dhe nga mundësitë profesionale, të cilat do të më jepte shqipja. Miqtë e mi shqiptarë, si edhe interesimi i studentëve të mi, gjithashtu më motivojnë shumë për të vazhduar me mësimet dhe hulumtimet.
KOHA: Jeni profesor i gjuhës shqipe dhe jepni mësim për politikën e vendeve ballkanike në Universitetin e Sofjes. Na tregoni, cilët studentë janë të interesuar të dëgjojnë ligjëratat tuaja në gjuhën shqipe dhe pse ky interesim?
PANÇEV: Për fat të mirë, Departamenti i Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku gjuha shqipe është lëndë e detyrueshme, nuk ka probleme me nivelin e aplikimeve dhe ndodhet në pozitat e para ndër 24 departamentet filologjike të Universitetit tonë me këtë tregues. Pranojmë 15 studentë çdo vit, të cilët studiojnë 5 vite dhe direkt e marrin diplomën e masterit. Ata mësojnë 600 orë gjuhë shqipe si edhe 90 orë letërsi shqipe, së bashku me shumë lëndë të tjera. Është fakt se studentët tanë, të cilët e kanë mësuar mirë shqipen, gjejnë pa probleme punë të mirë në sektorin privat dhe në atë publik. Besoj se mundësitë për realizim profesional përmes shqipes do të shtohen në të ardhmen me zhvillimin e kontakteve dhe të bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet vendeve tona.
KOHA: Merreni me hulumtime mbi gjenezën e gjuhës shqipe, me historinë e lidhjeve shqiptaro-bullgare, me zhvillimet politike ndër shqiptarët. Çfarë kanë treguar hulumtimet e Juaja për këto lidhje…?
PANÇEV: Ndërmjet gjuhëve tona ka shumë ngjashmëri tipologjike për shkak të komunikimeve shumëshekullore. Ky fakt më lehtëson kur e mësojmë shqipen. Sa i përket lidhjeve historike dhe politike, pak njerëz edhe në Bullgari, edhe në trojet shqiptare janë në dijeni për kontaktet tona gjatë historisë. Këto kontakte kanë qenë shumë intensive në disa periudha, kryesisht në dekadat e para të shek. XX, dhe në nivel shumë të ulët në periudha të tjera, për shkak të rrethanave gjeopolitike. Kam vërejtur se kur shqiptarët dhe bullgarët nuk kanë bashkëpunuar në ngjarjet e rëndësishme për rajonin tonë në shekullin e kaluar, edhe të dy popujt kanë pësuar humbje dhe disfata.
KOHA: Shumë veprimtarë shqiptarë kanë jetuar dhe vepruar në Bullgari shekuj më parë, historia e të cilëve është ruajtur edhe në arkivin e Sofjes. Sa njohuri keni mbi këta veprimtarë shqiptarë dhe çfarë është gjetur në këtë arkiv?
PANÇEV: Kolonia shqiptare në Sofje, por edhe në qytete të tjera bullgare, ka qenë shumë aktive dhe ka pasur kontribute të mëdha për Rilindjen shqiptare dhe për zhvillimin e kontakteve ndërmjet popujve tanë. Mjafton ta përmendim faktin se në Bullgari janë botuar mbi 50 libra në gjuhën shqipe vetëm për disa dekada deri Luftërat Ballkanike, si edhe rolin e gazetave shqiptare në Sofje për ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve. Pra, në arkivat bullgare ka shumë dokumente të rëndësishme për Rilindjen shqiptare dhe pa i hulumtuar ato në mënyrë të gjithanshme, nuk mund të shkruhet historia e plotë e kësaj periudhe.
KOHA: Shqiptarët e Bullgarisë kanë jetuar në fshatin Mandrica, në rrethin e Ivajillovgradit? Sa njohuri keni mbi vendbanimet shqiptare në Bullgari?
PANÇEV: Në Bullgari ka pasur shumë vendbanime shqiptare deri fillimin e shek. XІX, por për shkak të kryengritjeve dhe luftërave ruso-turke, ata u shpërngulën, kryesisht drejt territoreve të Ukrainës së sotme. Prej tyre kanë mbetur toponime dhe gjurma të tjera historike dhe gjuhësore. Në Mandricë vazhdojnë të jetojnë njerëz, të cilët e dinë të folmen e tyre shqiptare, por katundi i ka problemet tipike ekonomike dhe demografike për vendbanimet e vogla bullgare. Në këtë lidhje, dua ta përgëzoj punën e Shoqatës për Rilindjen e Mandricës, ku të rinjtë me origjinë prej fshatit kryejnë një punë të shkëlqyeshme për ruajtjen e traditave shqiptare. Gjithashtu, e folmja e Mandricës vazhdon të hulumtohet dhe të ruhet.
KOHA: Si i njihni ju marrëdhëniet bullgare – shqiptare, dikur dhe si i shihni sot marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë?
PANÇEV: Historikisht, Bullgaria dhe Shqipëria, gjithmonë kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe shumë herë kanë qenë me qëndrime të përbashkëta rreth problemeve në rajon. Edhe në kohën e sotme interesat e tyre gjeopolitike koincidojnë dhe kuptimi i këtij fakti mund të jetë shumë i dobishëm për të ardhmen e mbarë rajonit, për tejkalimin e kundërshtimeve të vjetra dhe për parandalimin e konflikteve të reja. Bullgaria mund të jetë “avokat” dhe këshilltar i Shqipërisë gjatë rrugës së saj për anëtarësimin sa më të shpejtë në BE. Për këtë qëllim, Bullgaria mund t’i përdorë të gjitha instrumentet politike, të cilat i ka në dispozicion. Nuk duhet harruar se Bullgaria do ta marrë kryesinë e BE-së në fillim të vitit 2018, i cili vit do të jetë me rëndësi kyçe për fillimin e procesit të bisedimeve me Shqipërinë. Ndër çështjet, të cilat janë me karakter të ndjeshëm për anën bullgare dhe për marrëdhëniet dypalëshe, është çështja për të drejtat e qytetarëve me origjinë etnike bullgare. Në dekadat e fundit, bullgarët në Shqipëri u kthyen në objekt të interesimit të forcuar shkencor nga ana e historianëve, gjuhëtarëve dhe folkloristëve bullgarë, deri sa përsëri filluan të arrinin libra, mediat gjithashtu u kushtojnë vëmendjen e publikut problemeve të tyre, universitetet bullgare i hapën dyert e veta ndaj tyre. Faktikisht, kontesti bullgaro-maqedonas rreth historisë dhe identitetit të popullatës sllave në Maqedoni do të zhvillohet edhe në territorin e Shqipërisë. Një fushë tjetër, me shumë rëndësi, do të jetë zhvillimi i lidhjeve ekonomike dhe ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme. Në këtë kornizë, duhet përshpejtuar ndërtimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, si lidhjen hekurudhore ndërmjet Tiranës dhe Shkupit si pjesë nga Korridori VІІІ. Bullgaria dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë t’i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre të mira tradicionale dhe të punojnë për transformimin e tyre në “shtyllë kurrizore të sigurisë” në Ballkan. Në një rast të tillë, Bullgaria dhe Shqipëria do të kishin mundësi të punojnë në favor të sigurisë rajonale dhe për parandalimin e provokimeve nga shtete të tjera me interesa të dyshimtë në Ballkan.
KOHA: Keni marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare, në të cilat trajtoni çështje të ndryshme të albanologjisë. A do të kemi ndonjë libër nga një bullgar shqip-folës, për gjithë atë çka keni studiuar mbi albanologjinë?
PANÇEV: Bullgaria ka tradita të vjetra me përkthimin dhe botimin e librave shqiptarë akoma nga epoka e Rilindjes shqiptare. Edhe Kadareja është përkthyer për herë të parë në një gjuhë të huaj pikërisht në bullgarisht. Ne, albanologët bullgarë, përpiqemi të përkthejmë 2-3 libra në vit prej autorësh shqiptarë, por është vështirë, sepse nuk ka përkrahje shtetërore për këtë punë. Këto libra na japim shumë informata për zhvillimet te shqiptarët dhe njohin publikun bullgar pak a shumë me kulturën dhe shkencën shqiptare. Ka disa shkencëtarë bullgarë, kryesisht historianë, të cilët kanë shkruar vepra të rëndësishme për ndriçimin e disa periudhave të historisë shqiptare.
KOHA: Studimet e para tuaja janë në degën e shkencave politike dhe në degën e Ballkanistikës. Si i shihni raportet fqinjësore të shteteve Ballkanike, në fushën e shkencës, sot?
PANÇEV: Situata nuk është e kënaqshme në përgjithësi, por ka edhe shembuj të mirë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe shkencore në rajon. Ka disa marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet universiteteve dhe institucioneve shkencore dhe kulturore bullgare dhe shqiptare. P.sh., ka një marrëveshje të tillë mes Universitetit të Sofjes dhe Universitetit të Prishtinës, mes Universitetit të Bllagoevgradit dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës etj. Për ne, albanologët bullgarë, është shumë me rëndësi pjesëmarrja jonë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në Prishtinë. Ky Seminar ka përgatitur disa gjenerata albanologësh nëpër botë dhe zë një vend të veçantë në shpërndarjen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.
KOHA: Studimet për doktoraturë i keni kryer në fushën e Shkencave politike dhe keni mbrojtur tezën për zhvillimet politike në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Cili është konkluzioni juaj? Shqipëria, vend paskomunist apo në tranzicion?
PANÇEV: Edhe në Bullgari ka shumë debate – në cilën fazë historike ndodhemi, pra, a ka përfunduar tranzicioni apo ende shtetet dhe shoqëritë tona kanë shumë karakteristika, tipike për epokën komuniste? Ka argumente serioze në përkrahje të çdo teze, por unë mendoj se Shqipëria ka përparuar shumë në dekadat e fundit dhe duhet t’i shikojmë dhe t’i vlerësojmë arritjet dhe problemet konkrete, duke u përmbajtur nga vënia e etiketave ideologjike.
KOHA: Keni nisur studimet edhe në Universitetin e Prishtinës. A mund të na bëni një dallim mes Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit, ku ju këto vende i keni vizituar, në pjesëmarrjen e konferencave shkencore?
PANÇEV: Jo, dallime të rëndësishme nuk ka, sepse shkencëtarët shqiptarë kanë ndërtuar një rrjet, në të cilin shkëmbejnë mendime dhe punime shkencore. Në hapësirat shqiptare ka jo pak forume shkencore me cilësi të lartë dhe shkenca humanitare zhvillohet shpejt. Kjo gjendje ndihmon shumë për përparimin e qendrave shqiptare arsimore dhe shkencore dhe do të sjellë rezultate të shkëlqyeshme shkencore.
KOHA: Ju njihni disa gjuhë: shqip, anglisht, rusisht dhe mund të përdorni edhe greqishten, rumanishten dhe serbishten? A paraqet kjo për Ju pasuri?
PANÇEV: Patjetër, jo vetëm se e lehtëson komunikimin dhe punën hulumtuese dhe shkencore, por edhe sepse njohja e gjuhëve ndihmon kuptimin e botës së të tjerëve dhe jep një pikëpamje tjetër për kulturën dhe arritjet e shoqërive të tjera. Në veçanti, ngjashmëritë ndërmjet gjuhëve ballkanike mund të na ndihmojnë të kuptojmë se popujt e Ballkanit kanë shumë gjëra të përbashkëta.
KOHA: Si profesorë në degën e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes, çfarë mund të na thoni për cilësinë e arsimit në Bullgari?
PANÇEV: Arsimi universitar në Bullgari ka disa probleme kryesore. Së pari, situata demografike në vendin tonë është përkeqësuar shumë për shkak të uljes së lindshmërisë dhe fluksi i mërgimtarëve bullgarë drejt Evropës Perëndimore në vitet e tranzicionit. Pra, tani ne kemi më pak maturantë, të cilët konkurrojnë për të hyrë në universitete. Së dyti, në vitet 90-ta në Bullgari u hapën shumë universitete publike dhe private, të cilat tani tejkalojnë 50. Së treti, ne jemi në tregun e BE-së dhe mijëra prej maturantëve bullgarë shkojnë të studiojnë në vendet perëndimore dhe ne me vështirësi përballemi me këtë konkurrencë. Edhe, natyrisht, financimi i pamjaftueshëm nga buxheti i shtetit. Por, ka edhe ndryshime pozitive. Studentët, doktorantët dhe stafi akademik kanë shumë mundësi për zhvillime arsimore dhe shkencore, për projekte dhe hulumtime të përbashkëta me vendet evropiane dhe më gjerë. Sipas meje, ne, ballkanasit, shpesh i nënçmojnë traditat tona arsimore dhe kemi një përkulje ndaj shkencës humanitare perëndimore. Edhe në gjuhët tona krijohen punime të shkëlqyeshme.
KOHA: Familjes, shoqërisë apo shkencës më shumë i përkushtoheni?
PANÇEV: Për fat të keq, i përkushtohem më shumë shkencës. Në të vërtetë ka shumë mundësi për hulumtime pikërisht në fushën e lidhjeve shqiptaro-bullgare dhe shpresoj se shumë shkencëtarë të rinj, shqiptarë dhe bullgarë, do të përqendrohen në këtë fushë. Arkivat bullgare përmbajnë mijëra dokumente, të cilat duhet hulumtuar në mënyrë serioze. E falënderoj gazetën shumë të respektuar “Koha”, se më lejon të paraqes disa informacione rreth lidhjeve ndërmjet popujve tanë dhe t’u uroj shëndet dhe suksese lexuesve Tuaj!