ANTISHQIPTARIZËM I ORKESTRUAR POLITIKO-MEDIAL. Ohri mes UNESKO-s dhe një qyteti pa shqiptarë

Nga 1076 ndërtime pa leje në tërë territorin e Komunës së Ohrit, të verifikuara në Regjistrin e vet Komunës, mediat dhe politika maqedonase fokusin kryesore të akuzave e kanë drejtuar ndaj një objekti me pronarë shqiptarë, Nafi Useinit. Veç kësaj, sulme për çdo ditë ka edhe për minarenë e xhamisë më të vjetër të Ohrit, xhamia e Ali Pashës

Destan JONUZI

Ohër, 19 korrik – Ohri është komuna në të cilën janë regjistruar numri më i madh i ndërtimeve pa leje në Maqedoninë e Veriut, thonë raportet e Entit Shtetëror të Statistikës. Ndërkohë që kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar se ndërtimet pa leje në qytetin e Ohrit duhet të rrënohen, jo vetëm për shkak se paraqesin problem që qyteti të shpallet zonë e mbrojtur nga UNESKO, por për shkak të respektimit të ligjit dhe sundimit të së drejtës, shkruan gazeta KOHA.

Ai madje ka kërcënuar se nëse Komuna e Ohrit nuk fillon me rrënimin e objekteve pa leje, Qeveria do t’ia marrë ingerencat dhe do të vë rend në zonat e mbrojtura. Ai, po ashtu personalisht i është drejtuar këshilltarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në qytetin e Ohrit, Nefi Useini, që të fillojë me rrënimin e ndërtimit shtesë pa leje në picerinë e tij “Luna”. Edhe pse tentuam disa herë që të vëmë kontakt me telefon me Useinin, ai gjatë ditës së enjte ishte i pakapshëm për të komentuar këtë kërkesë të kryeministrit Zaev.

Nga ana tjetër, nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, kanë akuzuar kreun e qytetit të Ohrit se nuk e respekton ligjin dhe se nuk vepron sipas ligjit për të rrënuar objektet pa leje, për shkak siç thonë nga kjo parti, biznes interesave partiake. “Objekti në fjalë, por jo vetëm ai edhe të tjerë janë në listë për rrënim. Ky objekt zgjoi interesin e opinionit për shkak se bëhet fjalë për objekt të një këshilltari komunal. Të një njeriu të politikës, dhe se objekti thuhet se është pjesë e pazareve parazgjedhor. Në raport me pres-konferencat, VMRO-DPMNE-së, ato i mbajmë vetëm për të njoftuar opinionin. Ne nuk e kundërshtojmë faktin se ka mbi 1000 ndërtime pa leje në gjithë Ohrin. Konferencat mbahen me qëllim që të fillohet me rrënimin e objekteve pa leje, ky duhet të jetë një shembull për gjithë qytetin, për gjithë komunën, për arsye se ai është këshilltarë komunal. Ndërsa lidhur me ndërtimet tjera pa leja, ashtu siç do të zhvillohen punët, ashtu edhe ne do të alarmojmë dhe do ti targetojmë të gjitha ndërtimet pa leje, me rëndësi është që të mos i merret Ohrit statusi i UNESK-s si zonë e mbrojtur”, deklaroi për gazetën KOHA, Dimçe Arsevski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Të gjitha mediat maqedonase, pa përjashtim, kërkojnë rrënimin vetëm të lokalit të këshilltarit shqiptar të BDI-së

I pyetur nëse paraqitja e tyre në opinion vetëm se para objekteve ku pronarët janë shqiptarë, apo objekteve fetare islame, mund t’i jep procesit konotacion etnik dhe fetar, Arsevski me përgjigje se ligji dhe kriminaliteti nuk njeh etni dhe fe, dhe se partia e tij gjatë gjithë verës do të alarmojë edhe për rrënimin e objekteve tjera pa leje që rrezikojnë Ohrin nga statusi i UNESKO-s.

“Opinioni është i njohur vetëm me dy objekte pa leje në qendrën e qytetit, dhe për fat të keq, ato më së shumti kanë zgjuar interes për arsye se janë ndërtuar pa leje, ato janë tarraca e këshilltarit Usieni dhe minarja e Xhamisë së Ali Pashës, e cila duhet të ndërtohet me leje ndërtimi. Por, nuk është vetëm kjo. Duhet të intervenohet në të gjitha objektet pa leje të cilat janë në qendër të qytetit edhe buzë liqenit dhe gjithandej. Shkelja e ligjit dhe kriminaliteti nuk njeh as konotacion etnik e asgjë tjetër. Ne do të alarmojmë për të gjitha ndërtimet pa leje që janë ndërtuar në mënyrë ilegale. Do të alarmojmë edhe për objekte tjera pa dallime, pa konotacione etnike, fetare e çfarëdo qoftë. Në raport me 1447 objekte pa leje, pushteti heshtë, ndërsa ne për gjitha rastet më të mëdha do të alarmojmë gjatë gjithë verës. Të gjitha do ti evidentojmë dhe do ti bëjmë publike për opinionin”, theksojë Arsevski. Ai potencoi se në rast se zbulohet se ka edhe objekte të ndërtuar në kohën kur me Ohrin ka qeveris kuadër i VMRO-DPMNE-së, edhe ato duhet rrënuar.

Zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoilkovski para lokalit të Nafi Useinit

Nga Komuna e Ohrit thonë se në pajtueshmëri me rekomandimet të cilat ishin notuar nga UNESKO, Komuna e Ohrit ka përpiluar Regjistër të veçantë të objekteve pa leje. Në këtë bazë elektronike janë përpunuara të dhëna për 1076. “Është planifikuar të formohet një Komision i veçantë, i përbërë nga ekspertë, i cili do të konstatojë ndikimin në ambientin jetësor të gjithë ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. Për të gjitha ato objekte, që do të konstatohet se kanë ndikim negativ, do të duhet të rrënohen. Në të gjithë këtë procedurë, do të jemi në koordinim të përhershëm edhe me Qeverinë. Mbetet që pushteti lokal në bashkëpunim me Qeverinë, hap pas hapi tu jep zgjidhje të gjitha rekomandimeve të UNESKO-s”, thonë për gazetën KOHA, nga Komuna e Ohrit. Lidhur me objektin e këshilltarit Useini, nga Komuna e Ohrit thonë se është bërë procesverbal nga Inspektorati i ndërtimtarisë dhe është përgatitur vendimi për rrënimin e këtij objekti, pasi që investitori nuk ka marr leje për ndërtim.

“Me këtë objekt do të veprohet në pajtueshmëri me ligjin dhe procedurat për ndërtime të ndërtuara pa leje”, theksojnë nga kjo komunë. Bazuar në eegjistrin e Komunës së Ohrit, hartuar në bazë të rekomandimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë (UNESCO), janë 409 objekte të ndërtuara pa leje që gjinden në zonën e mbrojtur në bregun e liqenit të Ohrit dhe Parkun Kombëtar të Galiçicës, por edhe në pjesën e vjetër të qytetit. Sipas shifrave, janë 1076 ndërtime pa leje në tërë territorin e Komunës së Ohrit. Këto shifra u prezantuan në seancën e komitetit të UNESCO-s që u mbajt në Baku të Azerbajxhanit, nga kryetari i Ohrit, Konstantin Georgieski. Në bazë të raportit të hartuar nga Komuna e Ohrit, pjesa më e madhe e objekteve pa leje janë ndërtuar dekadën e fundit. Ato kryesisht janë ndërtime të përkohshme, plazhe, shtëpi, apartamente dhe objekte të tjera të akomodimit. Kjo ka bërë që trashëgimia kulturore dhe natyrore e rajonit të Ohrit, të vendoset në listën e trashëgimisë botërore që është në rrezik, bazuar në rekomandimet e UNESCO-s. Përndryshe, qyteti i Ohrit ka hyrë nën mbrojtjen e UNESCO-s në vitin 1980, për momentin ai nuk do të shpallet për zonë të rrezikuar, por UNESKO u ka dhënë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut afat deri në shkurt të vitit 2020për t’i zbatuar rekomandimet për mbrojtjen e pasurive natyrore. (koha.mk)