Ekspertët thonë se Komisioni tenton që të amortizojë vendimin e mëparshëm që kishte të bënte me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili u aktivizua vetëm dy ditë para zgjedhjeve presidenciale. Nga opozita e përshëndetën këtë vendim, por theksuan se Komisioni duhet të hetojë edhe pronën e kryeministrit dhe familjes së tij
Destan JONUZI
Shkup, 11 maj – Vendimi i Komisionit për parandalimin e korrupsionit për të hapur lëndë në të cilat përfshihet edhe emri i kryeministrit, Zoran Zaev, nga ekspertët vlerësohet si farsë me të cilën opinionit i hidhet hi syve. Madje ata konstatojnë se kjo është vetëm se një shfaqje përfundimi i së cilës dihet që në fillim, dhe si një orvatje për të bërë balance, pasi që dy ditë para zgjedhjeve presidenciale Komisioni hapi lëndë për liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Në dioptrinë e anti-korrupsionit janë dy lëndë që lidhen me emrin e të parit të ekzekutivit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, shkruan gazeta KOHA.
E para ka të bëjë me qendrën tregtare “Global” në Strumicë, ku ai akuzohet për përfshirje në një aferë korruptive, nën dyshimin se ka bërë keqpërdorime prej 8 milionë euro, por për këtë rast ka qenë i falur nga Presidenti i atëhershëm, Branko Cërvenkovski, që sipas legjislacionit të vendit nënkuptonte se për këtë rast nuk mund të hapet asnjë procedurë tjetër hetuese. E dyta ka të bëjë me rastin “Mit marrje”, por edhe për këtë rast Zaev është liruar nga ndjekja penale me vendim të Gjykatës së Shkallës së Dytë në Shkup.
Nga Komisioni për anti-korrupsion arsyetohen se është e domosdoshme që të hapen këto lëndë, për arsye se ka pasur denoncime për të njëjtat. Po ashtu, nga Komisioni bëjnë të ditur se janë hapur lëndë edhe për firmat e kryeministrit Zaev në Bullgari dhe shitjen e tokës shtetërore në Kazermën e Strumicës, në kohën kur ai ka qenë kryetar komune. Ekspertët thonë se Komisioni tenton që të amortizojë vendimin e mëparshëm që kishte të bënte me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili u aktivizua vetëm dy ditë para zgjedhjeve presidenciale. Nga opozita e përshëndetën këtë vendim, por theksuan se Komisioni duhet të hetojë edhe pronën e kryeministrit dhe familjes së tij.
“Në opinion shumë po spekulohet për involvimin e Zaevit dhe zaevistëve në një numër të tenderëve dhe ndarjes së licencave për kultivimin e marihuanës. Po ashtu mjaftë po flitet edhe për hidrocentralet e Mickoskit. Vlerësoj se edhe njëri edhe tjetri as nuk janë naiv, e aq më pak injorant. Gjithçka që kanë bërë dhe po bëjnë është në kuadër të ligjit , ndërsa Komisioni për parandalimin e korrupsionit nuk ka as mekanizëm, as fuqi operative që deri në fund ti hetoj çështjet e ndikimit të bartësve të funksioneve publike. Këtë që po e bënë Komisioni, më shumë është shfaqje se sa aktivitet serioz, duke marrë parasysh se të gjitha kontrollet operative do t’i kryejnë institucionet e pushtetit ekzekutiv”, deklaroi për gazetën KOHA, Voislav Zafirovski, ish-kryetar i Komisionit për parandalimin e Korrupsionit.
Sipas tij, deri sa po bëhet shfaqje për të tjerët, me përfundim të njohur që më parë, nuk ka luftë serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Këtë e dinë edhe pozita dhe opozita aktuale, po më se e qartë është se as njërës, e as palës tjetër nuk i shkon për shtati që të ketë luftë efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me një fjalë, në Ballkanin Perëndimor, nuk ka asgjë të re, për fat të keq”, nënvizoi Zafirovski. Nga ana tjetër, juristi Ibraim Bajrami potencon se për lëndët e fundit të cilat i ka hapur Komisioni, koha do të flet vet se janë hapur sa për sy e faqe apo me të vërtet për të luftuar korrupsionin.
“Për lëndët e ngritura së fundmi koha do të dëshmojë se janë lëndë të hapura sa për sy e faqe, apo do të punohet me përkushtimin e nevojshëm ligjore dhe kompetent. Mund të konstatohet që transparenca mediatike e punës së Komisionit në lidhje me vendimet e marra përçon një mesazh deri te bartësit e funksioneve publike”, deklaroi për gazetën KOHA, Ibraim Bajrami, jurist.
Komisioni për parandalimin e korrupsionit do të hetojë edhe kreun Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe kreun e Gjykatës Supreme, Jove Vangellovski për blerjen e veturave zyrtare. Po ashtu janë hapur lëndë edhe për shitjen e tokës para Qendrës Tregtare në Shkup, por edhe për akuzat për nepotizëm dhe konflikt të interesave, ndaj drejtoreshës së Shtëpisë së Shëndetit- Shkup, Irina Panovska-Stavridis, për arsye se kompania e babait të saj ka marrë tender për furnizim me barna. Ndërsa pas një denoncimi anonim nga qytetarë dhe mjekë, Komisioni do të hetojë nëse të lartëpërmendurit janë në lidhje të ngushta me Ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe Ministrinë e Shëndetësisë, Vençe Filipçe. (koha.mk)