Shkup, 7 mars – Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion ka hapur procedurë për emërimet në armatë nga ana e presidentit Gjorge Ivanov. Bëhet fjalë për emërime nga shefi i shtetit të publikuar në Gazetë zyrtare pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale.
Komisioni për Antikorrupsion siç është theksuar në seancën e sotme do të kërkojë informatë nga kabineti i presidentit dhe nga Ministria e Mbrojtjes për emërimet e bëra.
Presidenti Ivanov jo moti me dekret e ka emëruar ish ndihmësin Mirçe Gjorgovski për përfaqësues ushtarak në selinë e NATO-s, kolonelin Mario Jurishiq për atashe ushtarak në Francë, shefin e Shtatmadhorisë Vasko Gjurçinovski e ka avancuar në gjeneral lejtnant, Dragan Kovaçki është bërë komandant i Brigadës së parë këmbësorike, ndërsa Besnik Emini shef i Shtabit të komandës së bashkuar operative.
Komisioni sot ka paralajmëruar se do të ngrit kallëzime për kundërvajtje për 30 dekanë të UKM-së të cilët nuk kanë dorëzuar listë anketuese. Përveç në UKM, Komisioni do të realizoj kontroll edhe nëpër universitete tjera.
Antikorrupsioni bën thirrje deri te të gjithë udhëheqësit e institucioneve të dorëzojnë të dhëna për persona të zgjedhur dhe emëruar, me qëllim që të azhurnohet regjistri i Komisionit. Rikujtojnë se për mos përmbushjen e këtij detyrimi përgjigjet penalisht. Listë anketuese priten edhe nga noterët, përmbaruesit dhe administratorët.
Ndryshe, në seancën e sotme do të rishikohen edhe raste të konfliktit të interesit dhe nepotizmit.