Sipas studimeve të fundit shkencore, marrja e ilaçeve kundër depresionit rrit rezikun nga vdekja e hershme me 33 për qind. Shkencëtarët në Universitetin MCMaster në Kanada kanë zbuluar se medikamentet kundër depresionit mund të ndikojnë në funksionimin e organeve duke bllokuar thithjen e serotoninës, një kemikalie neurotransmetuese, e rëndësishme në transmetimin e pulsit midis qelizave nervore, por që gjithashtu luan një rol në qarkullimin e gjakut. “Jemi shumë të shqetësuar nga ky rezultat. Ai sugjeron se ne nuk duhet të konsumojmë ilaçe anti-depresive pa kuptuar qartë interaksionin e tyre me trupin tonë”, deklaroi profesori Paul Andrews, i angazhuar në përpunimin e studimit. Për të arritur rezultatin, shkencëtarët mblodhën të dhëna nga qindra mijëra njerëz që konsumonin ilaçe kundër depresionit, thonë mediat në SHBA. Shkencëtarët zbuluan se nga ata që kanë marrë ilaçe kundër depresionit, 14 për qind e tyre i janë ekspozuar më shumë një rreziku për probleme kardiovaskulare, të tilla siç janë goditja në tru dhe sulmi në zemër. Rezultatet e hulumtimit u botuan të enjten në revistën shkencore “Psychotherapy and Psychosomatics”.