Mjekët apelojnë që në këtë kohë qytetarët të jenë më të kujdesshëm në këtë drejtim dhe për çdo dyshim në aspekt të shëndetit të tyre, të kërkojnë ndihmë nga mjekët amë dhe të mos shkojnë direkt në barnatore
Urim HASIPI
Tetovë, 21 nëntor – Pandemia Covid-19 ka bërë që shumë qytetarë në mënyrë të pakontrolluar të përdorin antibiotikë. Kjo, në masë të masë të madhe, është përhapur sidomos nga paniku se mund të mbrohen nga virusi corona. Në mesin e qytetarëve, sipas mjekëve, ende mungon një vetëdije që antibiotikët të përdoren sipas udhëzimeve të mjekëve dhe jo kokë në vete dhe në mënyrë joracionale. Kohëve të fundit, sipas mjekëve, nga keqpërdorimi i antibiotikëve edhe organizmi pëson ndryshime, prandaj shumë herë antibiotikët nuk kanë efektin e duhur. Pandemia që është prezent këtë vit, ka rritur edhe konsumin e këtyre medikamenteve, pohon mjeku Bekim Ismaili.
“Shkojnë në barnatore, disa me udhëzime të mjekëve, disa qytetarë insistojnë që vet të marrin, ka edhe që vijnë në klinikën tonë dhe kërkojnë që tu shënojmë antibiotik me të vetmin qëllim që kinse do të mbrohen nga virusi Covid-19, pa patur të bëra analiza të mëhershme dhe të nevojshme. Ky përdorim i pakontrolluar i antibiotikëve do të krijojë një rezistencë në të ardhmen tek organizmi i qytetarëve dhe do të ballafaqohemi me probleme tjera”, thotë mjeku Bekim Ismaili.
Sipas tij, përdorimi enorm i këtyre medikamenteve duhet të jetë i kontrolluar, sepse ne nuk e dimë se sa do të zgjasë pandemia Covid-19. Ai shpreson se shumë shpejt do të del në treg vaksina, por virusi edhe në të ardhmen do të ekzistojë, prandaj është e nevojshme që qytetarët të mos marrin pa nevojë antibiotik. Ismaili pohon e qytetarët tashmë përdorin antibiotik të cilët kanë efekte më të mëdha, dhe kjo do të bëjë që në të ardhmen kur vërtet të kenë nevojë për këto barna, të njëjtit të mos kenë asnjë efekt. Në nivel të shtetit, sipas informacioneve, është rritur për 57 për qind konsumi i antibiotikëve. Sipas shifrave zyrtare të institucioneve që merren me kontrollin e barnave, për 57 për qind është rritur përdorimi i antibiotikut të njohur Sumamed në nëntë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar, apo 70 mijë receta janë shkruar më shumë në krahasim me vitin 2019. Vitin e kaluar janë shkruar 68 mijë receta për antibiotikun Pancev, kurse këtë vit janë shkruar 75 mijë receta të këtij antibiotiku që është 17 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Mjekët apelojnë që në këtë kohë qytetarët të jenë më të kujdesshëm në këtë drejtim dhe për çdo dyshim në aspekt të shëndetit të tyre, të kërkojnë ndihmë nga mjekët amë dhe të mos shkojnë direkt në barnatore, pasi që jo çdo herë i njëjti antibiotik ka efekte tek të gjithë qytetarët. Sipas mjekëve, fillimisht duhet të bëhet vizitë tek mjeku ku do të merren udhëzime adekuate. (koha.mk)