Tetovë, 9 shkurt – Lëvizja Anti Bixhoz, të dielën me anë të një pres konferencë ka kërkuar nga deputetët që të përkrahin kërkesën e tyre që objektet e lojërave të bixhozit të jenë 3 kilometra larg vendbanimeve. Në kohën kur pritet që të fillojë edhe procedura për miratimin e këtij ligji, nga kjo lëvizje kanë thënë se ata dallojnë shumë nga asociacioni i bastoreve, raporton KOHA.
“Ne kërkojmë dislokimin e tyre 3 km larg vendbanimeve ndërsa ata kërkojnë vërshim të objekteve të tilla ku klient të tyre kryesisht janë fëmijët dhe prindërit e dëshpëruar. Ata shtiren sikur mërziten për 7700 të punësuar nga ana tjetër i harrojnë 1.000.000 të tjerë pa fije për jetë të ngelur rrugëve. Sa të mjerë janë. Ata dje i vërshuan të gjitha mediumet duke derdhur lot krokodili që të ngelin në pozitat që janë, dhe u paraqitën si shpëtimtar të Maqedonisë madje edhe si engjëj mirëpo sipas komenteve te popullit dolën se janë plaçkitës klasik”, theksoi Xhemal Abdiu, nga Lëvizje Anti Bixhoz. Ai ka thënë se është absurd që të plaçkitet një kazino në Shkup, ku vidhen 200.000 euro, kurse nga ana tjetër gjatë plaçkitjes së filialës së Tutunska bankës vidhen 8 mijë euro. Sipas tij me çdo kusht duhet të ndalet hovi i tyre dhe të stopohet ky nënçmim që bëhet.
“Të zgjedhurit e popullit të mos merren vetëm me deklarata boshe apo transparenca teorike por të shpëtojmë nga epiteti Las Vegas i Ballkanit. Të nderuar vendimmarrës ju na sollët në këtë gjendje andaj detyroheni të përmirësoni gabimet tuaja, mos bini pre e epsheve financiare pasi situata në të cilën gjendemi është një fotografi shqetësuese për shtetin dhe tendenca jonë për hyrje në Unionin Evropian”, shtojnë nga lëvizja Anti Bixhoz. Ata kërkojnë që edhe deputetët bashkë me liderët të kenë kujdes sepse në të ardhmen edhe fëmijët e tyre mund të bëhen viktimë e bixhozit. “Drejtohemi publikisht të gjithë liderëve të subjekteve politike, kryetarit të parlamentit, presidentit të shtetit, kryeministrit, komisionit për financim dhe buxhet,120 deputetëve që do të votojnë para së gjithash të mendojnë për fëmijët e tyre pasi ata nuk mund të jenë imun nga ky virus i quajtur kumar. Para se të votojnë të bëjnë vizitë një familjes e cila është viktimë e kumarit, besojmë se do t’ju mjaftojnë lotët e fëmijëve dhe familjarëve të tyre të ngelur pa shtëpi pikërisht po nga ky virus. Mos votoni kundër popullit se do të përballeni me ata që luftojnë për bukën e gojës dhe në të kundërtën do të demaskoheni me emër dhe mbiemër”, deklaroi Abdiu.
Gjatë takimit me gazetarë u tha se kanë marrë premtim nga të gjitha partitë politike se kërkesa tyre do të përkrahet, ndërsa takim nuk është realizuar vetëm me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. (U.H/Koha.mk)