Anthony Joshua u shpreh se është i lodhur duke pritur një lajm nga Tyuson Fury në lidhje me një duel mes tyre, sfidë që do të unifikonte titujt kampionë bote në peshën e rëndë.
Boksieri britanik i ka kërkuar patriotit të tij më pak fjalë dhe më shumë aksion, teksa pret që të konfirmohet data dhe vendi i një dueli mes tyre.
Pritej që javën e kaluar të jepej një njoftim në lidhje me këtë duel, por ende s’ka asgjë zyrtare. Mendohet se vendi do të jetë Arabia Saudite, një përballje që do të zhvillohet këtë verë.
Përmes një postimi në “Twitter”, Joshua shprehet: “Spartan. Jam i lodhur. Fansat e mi janë të lodhur, fansat e tu janë të lodhur. Ne jemi të gjithë të lodhur nga fjalët. Më pak fjalë, më shumë aksion”.
Pavarësisht kësaj, të dy boksierët kanë nisur fazën përgatitore, Joshua në Britaninë e Madhe, ndërsa Fury në Las Vegas.