Antakya, qyteti i kthyer në gërmadhë (FOTO)

Antakya, një qytet në jug të Turqisë, është kthyer në gërmadha. Të vdekurit janë të shtrirë në trotuaret e Antakyas – një vajzë me të atin në një qoshe të rrugës, gjysma e familjarëve të tjerë në anën tjetër, përshkruan korrespodenti i BBC-së i cili ka lëvizur në rrugët e këtij qyteti një ditë pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë. Nën batanije shumëngjyrëshe, këta trupa presin të mblidhen nga dikush. Orët kalojnë por nuk ka lëvizje të tyre ndërsa autoambulancat dhe shpëtuesit kalojnë pranë, vazhdon ai. Në Antakya prioritet janë njerëzit që ende mund të shpëtohen.

Një grup burrash është parë teksa punojnë mbi një grumbull rrënojash. Ata kanë thënë se po kërkojnë familjarët e tyre që kanë jetuar në ndërtesën që tash është gërmadhë dhe se për këtë punë kanë ardhur nga Stambolli.

“Dëgjuam një zë para dhjetë minutash”, tha njëri nga ta. Shpejt gjetën dy persona të bllokuar, një burrë dhe një vajzë të vogël. Burrat punuan me shpejtësi dhe kujdes për t’i nxjerrë. Por, ishte vonë. “Tashmë kanë vdekur”, tha burri, duke shtuar: “Duhet të koncentrohemi te të gjallët”.

Advertisements

Megjithatë, burrat vazhdojnë punën për të nxjerrë trupat e vdekur. Ka zemërim të madh sepse nuk u vjen më shumë ndihmë. “Ata erdhën bënë fotografi, por asnjë shpëtues nuk u kthye”, tha një grua. 11 persona ishin bllokuar në ndërtesën që i përkiste familjes së të dashurit të saj – për orë të tëra mund të dëgjonin zëra nga aty, por tani, vetëm qetësi. Shpejt bëhen 48 orë që kur goditi tërmeti i parë dhe gjasat për të gjetur njerëz të gjallë bien me çdo orë që kalon. (koha.net)