Ansambli Shqiptar me program artistik për 28 nëntor

92

Ajo që binte në sy ishte prezenca e emrave reprezentativ nisur nga ikona e këngës atdhetare Ilir Shaqiri që solli projektin e këtij nëntori “Shqipëri o mall i zjarrtë”, violinisti Blerim Grubi që solli “Homazh për Ismet Pejën” aktori i Teatrit Kombëtar, Basri Lushtaku i cili ishte i papërsëritshëm në monologun “Amaneti e dëshmorit”, zëri brilant i këngëtarit Nexhat Suma që solli “Jem Ilira, jem Teuta”…

Programi i Ansamblit shqiptar në RMV, mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit Visar Ganiu, do mbetet në arkivën e vitit 2020 si i vetmi eveniment kultutor në trojet shqiptare. Kjo falë punës së palodhshme të drejtorit të ansamblit Shkodran Tolaj i cili solli një spektakël që na bëri krenarë por edhe falë vizionit të Komunës Çair dhe kryetarit Visar Ganiu që asnjëherë nuk ka kursyer tu qëndrojë ballë aktiviteteve kulturore për rastet e tilla kombëtare. Thotë një fjalë popullore “bashkimi bën fuqi e shpesh dhe mrekulli”. Në sheshin e Shkupit Dardan ishte madhështor transmetimi gjatë gjithë ditës i programit me mesazhe të fuqishme kombëtare e njerëzore që filloi në 12:30.

Ndonëse në kohë të vështirë Çairi dhe ansambli gjetën formën se si ky eveniment më mirë se çdo herë tjetër të përçohet tek spektatori me jehonën e duhur. Si duket detyrat ishin të ndara në këtë eveniment: pjesa teknike i takonte Komunës kurse ajo programore – Ansamblit Nacional. Në aspektin teknik, realizimi i video materialeve në Sheshin Skenderbeu dhe Kalanë e Shkupi, transmetimi në shesh por dhe realizimi televiziv në 22:30 në TVM2 ishin në nivel të lartë kurse programi artistik jashtëzakonisht i qëlluar, program që të emocionon, të mbush vaj dhe të krenon. Nga fjala përshëndetëse e drejtorit Tolaj i cili dha mesazhe të fuqishme në kohë të vështirë dhe përcolli urimin e 28 nëntorit deri tek realizimi i pikave artistike ishin mirëmenduar që të krijohet një llojshmëri e ngjyrave mbarëkombëtare.

Ajo që binte në sy ishte prezenca e emrave reprezentativ nisur nga ikona e këngës atdhetare Ilir Shaqiri që solli projektin e këtij nëntori “Shqipëri o mall i zjarrtë”, violinisti Blerim Grubi që solli “Homazh për Ismet Pejën” aktori i Teatrit Kombëtar, Basri Lushtaku i cili ishte i papërsëritshëm në monologun “Amaneti e dëshmorit”, zëri brilant i këngëtarit Nexhat Suma që solli “Jem Ilira, jem Teuta”, dy vallëtarët fantastik Ilir Loku e Adem Murtezani që sollëm vallen premierë “dueti i shqipeve”, Teuta Gerbovci që solli projekt shumë të arrirë që solli “Uron nusja e dëshmorit”. Pra jo vetëm në trojet shqiptare por edhe në RMV- së kemi artistë kalibri të pakonsumuar si duhet. Natyrisht trupa e ansamblit solli “Këngë moj”, “Jusuf Xhelili”- Salajdin Miftari, “Nusja e maleve” Kastriot Latifi, “Zëri i atdheut” Agron Kalisi apo “Vallja e malësores” në nivel të kënaqshëm që flet për ngritjen dita- ditës të nivelit të tyre profesional dhe krijimin e individualitetit dhe origjinalitetit institucional.

Marrë parasysh se ky ansambël shënoi një vjetorin e funksionimit, projektet e mëdha të këtij viti dhe ky koncert është treguesi më i mirë i punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm. Ndonëse koncerti u mbajt pa publik ai arriti të përçohet  tek spektatori dhe të ketë jehonë të madhe në opinion që tregon se kur ekziston dëshira çdo gjë është e mundur dhe e zgjidhshme. Ky koncert do mbahet mend që ishte i vetmi i organizuar në viset shqiptare që shndërroi Shkupin në qendrën më të rëndësishme të festës së flamurit dhe 108 vjetorit të Pavarësisë. Pjesë e manifestimit ishte edhe sekretari shtetëror për kulturë z. Valmir Aziri si përfaqësues i Ministrisë së Kulturës e cila miraton programin e Ansamblit kurse programit i dha ngjyrë dhe sharm të veçantë prezantuesi i njohur Avni  Qahili. Suksesi i madh i programit dhe jehona që pati në opionion ka bërë që ky program të transmetohet sonte edhe në tv 21 me fillim në orën 19:30!