Evis HALILI
Shkup, 13 dhjetor – Sigurimi i kushteve për funksionimin e ansambleve do të vendoset në fokus të aktiviteteve në sferën e kulturës për vitin e ardhshëm, shkruan gazeta KOHA. Nëse miratimi nga ana e Qeverisë për themelimin e një Ansambli shqiptar të këngëve dhe valleve pritet të jepet javën e ardhshme, ansambli tjetër shtetëror “Tanec” kërkon një fond ekstra për rimëkëmbjen. Në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar vetëm një fond prej 800 mijë euro për realizimin e projektit për një Ansambël shtetëror shqiptar, dhe vetëm në rast se buxheti i shtetit do të jetë në një kondicion të mirë, do të mund të sanohen problemet e “Tanec”. Kështu ka premtuar ministri i Kulturës, Robert Allagjozovki në një vizitë në këtë institucion, ku ndër të tjera iu prezantua gjendja e keqe në të cilën gjendet jo vetëm ndërtesa, por edhe problemet për mirëmbajtjen e instrumenteve, kostumet e vjetra, e të tjera. Ministri ka bërë me dije se situatat me çatitë që pikojnë janë evidentuar në mbi 20 institucione të kulturës dhe sanimi i tyre do të bëhet sipas kritereve të urgjencës, por edhe të buxhetit që është në dispozicion.
“Si ministri dhe Qeveri angazhohemi që t’i zgjidhim problemet dhe të përmirësojmë kushtet në të cilat krijojnë artistët dhe prandaj nuk do të merrmi me projekte kapitale, por me rikonstruktimin e projekteve ekzistuese. Nëse buxheti do të jetë në një kondicion të mirë financiar gjatë 2018 do të mundohemi të sanojmë problemet e ‘Tanec’-it”, ka thënë ministri. Drejtori Stojançe Pavllovski po ashtu ka kërkuar edhe punësime, kryesisht kuadro të rinj, rinovimin e instrumenteve, mirëmbajtjen e vazhdueshme të tyre, kostume të reja, e të tjera. Nga ana tjetër, dy vjet pas shpalljes së iniciativës për themelimin e një Ansambli shqiptar shtetëror dhe dy javë pas vendimit të Ministrisë, nuk ka asgjë konkrete. Madje, as sa i takon vendndodhjes së tij, permanente, apo provizore. Sekretari shtetëror Valmir Aziri pohon se presin që javën e ardhshme Qeveria të miratojë vendimin për themelimin e Ansamblit. Buxheti që do t’i akordohet këtij projekti do të jetë rreth 800 mijë euro, para këto që do të përdoren për investimet fillestare, pajisja me kostume, instrumente, rroga mujore, e të tjera. Aziri ka pohuar se kanë ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Ansamblit, bazuar tek kërkesat e shoqërive që veprojnë prej vitesh. Edhe kuadrot që do të punësohen në Ansamblin shtetëror supozohet se do të merren nga ansamblet dhe shoqëritë e tjera shqiptare.
“Ende nuk e kemi gjetur godinën ku do të vendoset ky ansambël, për momentin jemi në pritje të miratimit nga Qeveria të këtij vendimi”, thotë Aziri. Iniciativa për themelimin e një Ansambli shqiptar u prezantua nga Ministria e Kulturës gati dy vjet më parë, në një takim me përfaqësues në ansambleve dhe shoqërive kulturore artistike në Komunën e Çairit. Sipas tyre, themelimi i një ansambli do të zgjidhte problemin e madh të financimit, duke mos lejuar funksionimin e tyre vetëm në baza vullnetare, por edhe do të ngrinte në një nivel më profesional kultivimin e kulturës, traditës dhe folklorit. Nga Ministria e Kulturës ende nuk kanë asnjë detaj lidhur me numrin e punonjësve, profilet, e të tjera. Nëse si model do të merret “Tanec”, buxheti i këtij ansambli është 50 milionë denarë, ndërsa numëron rreth 90 punonjës. (koha.mk)