ANKTHI

Të gjithë jemi brenda të njëjtës valle. Disa prej nesh duhet të bëjnë veprime të guximshme për të çliruar veten dhe të tjerët nga çmenduria që na ka zënë derën, por është e domosdoshme, sepse Ankthi dhe pasojat e tij të tmerrshme nuk kursejnë asnjë, as fëmijët tuaj! Nuk ka barna që mund t’i bëjnë ballë kësaj situate, përveçse secili të shkojë aty ku ndershmërisht përket!

 

Nga dr.Arben TARAVARI

Vitet me secilën ditë të tyre mbeten gjithnjë vite të turbullta e sidomos Anksioze për vendin tonë. Të udhëhequr nga një politikë dramatike, në të shumtën e rasteve tradhtare, ne gjithsesi vazhdojmë rutinën tonë ditore.

Njerëzit që jetojnë këtu janë të ndarë në klasa të ndryshme. Kështu shumica e njerëzve përfaqësohen nga “Ata që duan të ikin”, pastaj nga të “Varfrit e Dorëzuar” që janë ata që janë përplasur dhe zhgënjyer aq shumë sa nuk kanë më asnjë qëllim, që po mos të kishin fëmijë ndoshta do kishin dhënë dorëheqje nga gjithçka, kemi “Të Kapurit” që janë njerëz që janë mashtruar me vet të drejtën e tyre, sepse e drejta për t’u punësuar në shtetin e tyre, ju është shitur si nder politik, kështu ata janë të detyruar që të ruajnë me fanatizëm tifozerinë për partinë që i ka punësuar. Më pas një klasë shumë e vogël por nga më të shëndetshmet, është klasa e atyre njerëzve të cilët kanë kurajon për të parë jashtë dere, për të kundërshtuar pa asnjë kompromis, të gjithë ata që e bëjnë jetën e vështirë, përfshirë dhe politikanët, dhe meqë jemi këtu kemi dhe klasën e “Politikanëve”, të cilët në vetvete ndahen në dy grupe që dallojnë esencialisht nga njëri-tjetri: politikanët në pozitë dhe ata në opozitë.

Ata që janë në krye të shtetit kanë privilegjet e parasë dhe pushtetit, në më të shumtën e rasteve përkthyer në Arrogancë deri në nivelet e Krimit. Shumë pak burra i qëndrojnë me ndershmëri dhe korrektësi ndjelljes së Pushtetit.  Politikanët e tjerë janë ata që presin të marrin karriget e vendit, fatkeqësisht shpeshherë për të qenë arrogantët e rinj të këtij vendi Ansioz! Si mund ta keni vënë rè epiteti Anksioz përsëritet shpesh sepse të gjitha klasat në Maqedoni, të gjithë individët (përjashto ndoshta fëmijët 0-7 vjeç), bashkohen nga një emërues i përbashkët: ANKTHI!!!

Të gjithë janë nën ndikimin absolut të Ankthit! Nga ana tjetër Ankthi është konsideruar si sëmundja e Shekullit, por të gjithë luftojnë që të ulin nivelin e stresit, përveçse këtu tek ne, që çdo muaj ka një rritje alarmante të nivelit të Ankthit! Si neurolog di saktësisht se cilët janë shkaktarët dhe pasojat e tij, di shenjat dhe simptomat, të cilat i ve re në çdo situatë. Ndonjëherë më duket urgjente që të ndizet sirena e kuqe, të vendoset alarmi për rrezikun e madh që na kanoset nga Ankthi!

Ky i fundit është një armik tinëzar që zë vend brenda psikes së njeriut pa u kuptuar, shpesh herë nuk identifikohet, por për të gjithë ata që janë njohës së nishaneve të tij, kuptohet menjëherë që Ankthi ka pushtuar Maqedoninë! Të gjithë kanë frikë për atë që i pret ose frikë për atë që nuk i pret! Frikë patologjike sepse drita e tunelit nuk duket dhe për disa drita është djegur fare! Rrugët tona janë një rrëmujë individësh të cilët nëse do ishin ngjyra do dukeshin si ca njolla të kuqe dhe të verdha që pulsojnë! Një numër i madh pacientësh të mijë janë shumë të rinj dhe vuajnë nga Ankthi. Tahihardi, frymëmarrje e vështirë, mungesë përqendrimi, nervozisëm, marrëdhënie të tendosura me çdo njeri, kjo është pasqyra e shoqërisë së Maqedonisë së sotme!

Ankthi na është ulur këmbëkryq në shtëpitë tona, ai po na merr përditë lumturinë dhe shpesh herë shëndetin në mënyrë të kthyeshme! Destabiliteti politik dhe ekonomik shkaktojnë pasiguri në popull, korrupsioni dhe format e paligjshme të qeverisjes shkaktojnë frikë tek fajtorët e politikës. Ato individë që qeverisin me mision të ndershëm, janë nën presionin e politikanëve fajtorë, që kështu janë dhe ata nën diktatin e Ankthit! Fajtorët kanë frikë nga Viktimat e tyre, kurse Viktimat kanë frikë se mund t’i vrasin për herë të dytë, të tretë e derisa t’i zhdukin krejt! Çfarë nuk kuptojnë sidomos ato politikanë të cilët vjedhin me të madhe nga buxheti i Maqedonisë duke shkaktuar pasiguri dhe frikë tek pjesa tjetër, është se edhe ata vet janë prè të Makinerisë së Shekullit!

Ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar: Të inkriminuarit t’i dorëzohen drejtësisë, të shpëtojnë nga pesha e fajit, të lirojnë veten nga prangat e vetëgjyqësisë. Paratë nuk do të shpëtojnë dot ndërgjegjen tuaj. Të qenurit të ndershëm është një e drejtë që kurrë nuk është vonë për ta provuar! Duhet kurajo dhe guxim i madh por është e vetmja mënyrë për të ndezur dritën në fund të tunelit! Paraja dhe pushteti i saj janë kurthe që vetëm shtojnë stresin në xhepat e zemrave tuaj!

Sa më shumë shtohen zerot në llogaritë tuaja bankare aq më shumë shkurtohen vitet në llogarinë tuaj shëndetësore! Shpëtoni veten duke lejuar dhe të tjerët të shpëtojnë nga kjo gjendje alarmante që ka kapluar shoqërinë! Jeta nuk ka të mirë dhe të këqij, jeta ka njerëz që përpiqen për të qenë mirë, por çelësi i të mirës individuale është E Mira Kolektive! Ankthi nuk fal askënd! Ai është më dinak se të gjithë ata që pretendojnë se janë dinakë! Pastroni ndërgjegjen tuaj dhe fëmijët e mbetur rrugëve do ju falin, të papunët, të ikurit, të vetmuarit do ju falin!

Të gjithë jemi brenda të njëjtës valle. Disa prej nesh duhet të bëjnë veprime të guximshme për të çliruar veten dhe të tjerët nga çmenduria që na ka zënë derën, por është e domosdoshme, sepse Ankthi dhe pasojat e tij të tmerrshme nuk kursejnë asnjë, as fëmijët tuaj! Nuk ka barna që mund t’i bëjnë ballë kësaj situate, përveçse secili të shkojë aty ku ndershmërisht përket! Gjendja ku ndodhemi është një diagnozë mendore sociale që ne e quajmë “Aktualitet Jetësor”, por është sëmundje që po shkurton dhe po merr jetë! Koha është tani për të shpëtuar, secili të shkojë drejt rrugës së vështirë të ndershmërisë, kërkon kurajë, por asgjë nuk e zvogëlon ankthin më shumë se sa aksioni i menjëhershëm ndaj Filloni Tani e ju priftë e mbara!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)