Kultivuesit e mollës kërkojnë që të ndryshohet ligji për subvencionimin e fermerëve dhe në të ardhmen krahas mbrojtjes së prodhimit vendor po ashtu të subvencionohen edhe kompanitë që do të bëjnë grumbullimin e mollëve
Urim HASIPI
Tetovë, 22 tetor – Kultivuesit e mollës në rajonin më të gjerë të Tetovës ankohen se mungesa e plasmanit dhe çmimi i ulët ka bërë që të mos kenë llogari për të kultivuar mollët. Pjesa dërmuese e bujqve që merren me kultivimin e mollës në Pollog, vite me radhë janë duke zvogëluar hektarët. Rajoni i Komunës së Bërvenciës është i njohur për kultivimin e mollës me cilësi të lartë, por bujqit shprehen të zhgënjyer sidomos për shkak të çmimit të ulët në treg. Një prej tyre është Dragolub Zafirovski nga Bërvenica, i cili thotë se nëse edhe këtë vit situata me çmimin është e njëjtë, atëherë do t`i hedhë mollët në Lumin Vardar dhe në të ardhmen nuk do të merret me këtë veprimtari. “Çmimi për një kilogram mollë sillet 13 denarë dhe me këtë nuk mund të mbulohen harxhimet e thjeshta. Spërkatja kushton. Mirëmbajtja, vjelja, ujitja, krasitja, të gjitha këto kanë kosto të lartë. Më vjen keq që shteti nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret që të mbrojë mollën e Tetovës që në të kaluarën ka qenë e cilësisë së lartë dhe mjaft e kërkuar”, thotë Zafirovski.
Ai shprehet se mollët që importohen nga jashtë në vendin tonë nuk kontrollohen dhe nuk janë të cilësisë si mollët e prodhuesve tetovarë. “Këtu e kemi hallin ne, sepse cilësia e mollës së Tetovës nuk ka nevojë të tregohet ngase është e klasës së lartë. Por, nëse nuk kemi mbështetje nga shteti që të ndalojë importin nga jashtë të mollëve të cilat shiten me çmim të ulët në treg, atëherë do të jemi të detyruar që të mos merremi më me kultivimin e mollës. Shumë bujq kanë vendosur që të zvogëlojnë hektarët, sepse ka shumë punë, ka shumë mund dhe në fund çmimi është prej 10 deri në 15 denarë për kilogram dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq”, thotë ai.
Në ndërkohë, edhe bujqit tjerë që merren me kultivimin e mollës janë të irrituar me mosinteresimin e shtetit që të ketë subvencione më të mëdha në këtë drejtim. Disa fermerë shprehen se harxhimet janë më të mëdha se sa të ardhurat, prandaj edhe kërkojnë që të sigurohet blerje me shumicë e mollës si rrugëdalje dhe shpëtim për ata. “Vjet kam hequr një hektarë të mbjella me mollë, këtë vit po ashtu do të heq një hektarë, dhe do të mbetem me një hektarë, dhe këtë do ta bëj vetëm për rekreacion dhe jo për mbijetesë. Mua nuk me ndihmojnë asgjë subvencionet që merren nga shteti. Ndihmesa ma e mirë për ne është që të sigurohen kushte të mira për pjesëmarrje në treg, pra çmim i merituar i mollës dhe jo të shesim me çmim qesharak”, thotë Amet Ismaili, një kultivues i mollës në rajonin e Tetovës.
Sipas tij, kostoja e mirëmbajtjes kushton tetë denarë, kurse e shesin 10 denar,ë pra nuk mbulohen aspak ato harxhime që i kanë gjatë kultivimit dhe kjo vlen vetëm për mollët e klasës së parë, kurse mollët e klasës së dytë apo që ndryshe njihen si molla industriale ato hidhen, sepse nuk kanë ku ta dërgojnë. Kultivuesit e mollës kërkojnë që të ndryshohet ligji për subvencionimin e fermerëve dhe në të ardhmen krahas mbrojtjes së prodhimit vendor po ashtu të subvencionohen edhe kompanitë që do të bëjnë grumbullimin e mollëve. (koha.mk)