Berlin, 11 dhjetor – Konservativët e kancelares gjermane Angela Merkel e rritën mbështetjen pasi Unioni Kristan Demokrat (CDU) i saj e zgjodhi Angret Kramp-Karenbauer lidere të re të partisë, tregoi hulumtimi më ri sociologjik.
Blloku konservator i Merkelit, në të cilin gjendet CDU dhe partnerët e saj bavarez nga Unioni Kristan Social (CSU), e kanë rritur mbështetjen për tre për qind, në 32 për qind, tregon anketa e institutit “Forza”, Konservatorët e humbën popullaritetin pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani në shtator të vitit të kaluar.
Anketa, në të cilën kanë marrë pjesë 1.506 njerëz, është bërë pas zgjedhjes së Kramp-Karenbauer, e cila shpesh quhet “mini Merkel”. Studimi paraprak i “Forzas” u publikua më 7 dhjetor, kur u mbajt votimi për lider të CDU-së.
Sipas anketës, pothuajse gjysma e të anketuarve, 46 për qind mendojnë se zgjedhja e Kramp-Karenbauer është një “vendim i mirë” dhe rreth një e katërta, ose 24 për qind, kanë qenë për konservatorin Fridrih Merc i cili humbi në raundin e dytë nga ajo. Kandidati i tretë, ministri i Shëndetësisë Jens Shpan, humbi në raundin e parë.
Anketa zbuloi se pothuajse dy të tretat e gjermanëve – 63 për qind – duan që Merkeli të mbetet kancelare deri në fund të periudhës aktuale legjislative në vitin 2021, ndërsa rreth një e treta mendojnë se duhet të tërhiqet më herët. Kancelarja tha se ka në plan të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të saj në vitin 2021.
Studimi gjithashtu tregoi se mbështetja për të Gjelbrit u zvogëlua për tre për qind, ndërsa partitë tjera mbetën në të njëjtin nivel – Socialdemokratët në 14 për qind, Demokratët e Lirë dhe të Majtët në tetë për qind, ndërkaq Alternativa Ultrajathtiste për Gjermaninë në 13 për qind.
Liderja e socialdemokratëve Andrea Niles shprehi druajtjen se ndarja e mundshme në CDU pas ndërrimit të Merkelit si kryetare e partisë mund të ketë pasoja të dëmshme ndaj qeverisë së koalicionit.
Nales për A-Er-De deklaroi se karakteri polarizues i garës për lider të CDU-së, në të cilën Kramp-Karenbauer fitoi me dallim të vogël, mund të jetë “stres test” për disa aspekte të punës së Qeverisë.
Sipas Naels, posaçërisht “potencial për konflikt” ka në politikën e mbrojtjes. Sipas saj vendimi i CDU-së në kongresin e javës së kaluar të partisë në Hamburg për rritjen e të ardhurave për mbrojtjen është në kundërshtim me qëndrimin e socialdemokratëve.