Shkup, 31 mars – OJQ Infoqendra, në suaza të projektit “Vëzhgimi qytetar i Avokatit të popullit”, i përkrahur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), zbatoi hulumtim anketues për atë se çfarë janë perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve për punën dhe performancat e Avokatit të Popullit (AP), raporton gazeta KOHA.
Rezultatet tregojnë se dy të tretat e qytetarëve ose 66,6 për qind e dinë për ekzistimin e institucionit Avokati i popullit, ndërsa një numër solid është i njoftuar me një pjesë të kompetencave të tij bazë. Më shumë se gjysma e të anketuarve janë shprehur se Avokati i popullit është profesional në punën e tij.
Për avokatin e popullit, sipas rezultateve, më së shumti kanë dëgjuar të anketuarit nga rajoni lindor – 85,2 për qind, ndërsa më pak ato nga rajoni i Pollogut – 43,8 për qind.
Personat më të moshuar janë më shumë të informuar për avokatin e popullit, derisa të rinjtë e moshës prej 18 deri 29 vjet, janë më pak të informuar për ekzistimin e këtij institucioni.
Më shumë se gjysma e të anketuarve janë shprehur se avokati i popullit është profesional në punën e tij, ndërsa 47 për qind e të anketuarve konsiderojnë se ky institucion është transparent. Pothuajse 40 për qind e të anketuarve konsiderojnë se avokati i popullit është vendosur në atë pozitë për shkak të afërsisë së tij me pushtetin, derisa 37 për qind konsiderojnë se ai gjendet në atë pozitë falënderim i profesionalizmit të tij.
Anketa ishte zbatuar në periudhën nga 16 shkurti deri më 7 mars të vitit 2019. (koha.mk)